Shkrimi i plotë i Mustafës:
Sot përkujtojmë me respekt të veçantë jetën dhe veprën e Heroit të Kosovës, Tahir Zemaj, ushtarakut dhe udhëheqësit të dalluar në luftën e Kosovës për liri, pavarësi dhe demokraci.
Tahiri u dekorua me ‘Medaljen e Artë të Nënës Terezë’ nga Presidenti Historik Ibrahim Rugova, ‘Heroi i Kosovës’ nga Presidenti Sejdiu dhe ‘Nderi i Kombit’ nga Presidenti Nishani. Tahiri ishte figurë kyçe në Forcat e Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, të themeluara nga Qeveria që vepronte në emigrim, me miratimin e Presidentit Historik Ibrahim Rugova.
Tahiri bashkëpunoi ngushtë me Ahmet Krasniqin, Ministër i parë i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe bashkërenditi aktivitetet ushtarake së bashku me Sali Çekajn. Sot përkujtomë veprat dhe fitoret ushtarake më të dalluara të Tahirit si ajo e Loxhës, Llukës, Junikut, lugut të Baranit dhe shpëtimit banorëve nga masakra e përgatitur në rrethimin e Isniqit në 1998.
Tahir Zemaj qe vrarë në një moment prite në orët e hershme të mëngjesit të 4 janarit 2003 kur vetura e tij ishte goditur pamëshirshëm nga një breshëri plumbash duke ia marrë jetën Tahirit, të birit të tij Enisit dhe kushëririt të tij, Hasanit. Vrasësit e tij kurrë nuk u gjetën e nuk u dënuan nga organet e drejtësisë.