Irlanda hedh poshtë akuzat e Johnson për një bllokim europian

Ministrja irlandeze e Drejtësisë, Helen McEntee kundërshtoi sot akuzat e kryeministrit britanik, Boris Johnson sipas të cilave Bashkimi Europian kërcënonte për vendosjen e një bllokade në Irlandën e Veriut.

“Thjesht nuk është kështu”, reagoi Helen McEntee për “Sky News” ndërkohë që diskutimet rreth një marrëveshjeje post-Brexit janë përkëqesuar këtë javë,

“Çdo aludim sipas të cilit kjo do të krijonte një kufi të ri është thjesht gëshnjeshtër”, shtoi ajo.

Kryeministri britanik, Boris Johnson mbështeti dje qëllimin e tij për rishikimin e pjesshëm të marrëveshjes mbi Brexit përballë kërcënimit se BE mund të vendosë një “bllokadë” ushqimore në Irlandën e Veriut, e rrezikshme për paqen dhe unitetin e Britanisë së Madhe.

Qeveria britanike prezantoi të mërkurën në Parlament një projektligj mbi tregun e brendshëm që i jep mundësi të marrë vendime të njëanshme mbi çështjet relative për tregtinë me provincën e Irlandës së Veriut.

Ky tekst, që kundërshton pjesërisht marrëveshjen që rregullon daljen e Britanisë së Madhe nga BE, vështirëson diskutimet e nisura që prej marsit për të negociuar për një marrëveshje mbi marrëdhënien e ardhshme mes Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Europian.

Në një artikull të publikuar në gazetën britanike “Daily Telegraph”, Boris Johnson shpjegon se kishte qenë i detyruar për këtë ekstremitet, të cilin ai e njeh si një shkelje të ligjit ndërkombëtar.

“Në qoftë se nuk biem dakord me kushtet e BE-së, BE-ja do të përdorë një interpretim ekstrem të Protokollit të Irlandës Veriore për të vendosur një kufi të plotë tregtar përgjatë Detit të Irlandës, i cili ndan provincën nga pjesa tjetër e mbretërisë”, shkruan ai.

“Na është thënë që BE-ja jo vetëm që do të vendosë tarifa mbi mallrat që kalojnë tranzit nga Britania e Madhe drejt Irlandës së Veriut, por ajo mund të ndërpresë transportin e prodhimeve ushqimore të Britanisë së Madhe drejt Irlandës së Veriut”, shton ai.