Irfan Buçi dorëhiqet të premten

Zëvendësdrejtori i Doganave, Irfan Buçi, do të dorëhiqet zyrtarisht nga detyra ditën e premte, shkruan gazeta LAJM. Ai këtë e ka bërë të ditur përmes një shkrimi në Facebook, ku ka treguar arsyet e largimit.

“Per arsye familjare ( per shkak djalit tim qe duhet sheruar nga Autizmi jasht vendit dhe do te mungoj per nje kohe te gjat) te premten me dat 14-05-2021 jap doreheqje nga posti zv drejtorit te Doagnes ne RMV. Ju faleminderit! Familja eshte mbi gjitha❤️ Faleminderoj Ali Ahmetin per mbeshtetjen dhe besimin e dhene gjat ketyre 3 viteve”, ka shkruan Buçi në Facebook.

Ndërkohë, nënkryetari i BDI-së, Izet Mexhiti, ka deklaruar se propozimin për shkarkimin e zëvendësdrejtorit të Doganave, Irfan Buçi, një ditë më parë në Qeveri, e ka bërë zëvendëskryeministri Artan Grubi pa konsulta brenda partisë, shkruar gazeta LAJM.

“Nuk e di arsyen pse e ka propozuar shkarkimin e tij në rend dite të Qeverisë dhe më pas e ka tërhequr nga rendi i ditës. As për njërën dhe as për tjetrën nuk është konsultuar me organet partiake, që edhe ashtu nuk funksionojnë. D.m.th, zv.kryeministri Artan Grubi vendimin e ka marrë kokë në vete”, deklaroi nënkryetari i BDI-së, Izet Mexhiti, në një prononcim për gazetën LAJM.

Mexhiti, tha se për këtë çështje do të kërkojë që të hapet debat brenda partisë.

“Do duhet të hapim debat brenda partisë, jo vetëm këtë po për gjithë funksionimin e partisë, për të gjitha temat, pse nuk ka demokraci të brendshme”, u shpreh Mexhiti për gazetën LAJM.

Ndërkohë, bashkëpartiaku i Izet Mexhitit ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi i pyetur se pse shkarkimi i zëvendësdrejtorit të Doganave, Irfan Buçit ishte në rend dite dje në seancë qeveritare, dhe u tërhoq prapa, tha se kjo ka ardhur pasi Buçi ka njoftuar dorëheqjen e tij për shkaqe personale dhe familjare. “Irfan Buçi ka njoftuar një anëtar të Qeverisë, se jep dorëheqje për shkaqe personale dhe familjare dhe për këtë arsye pika për shkarkimin e tij ka qenë në rend dite dje në Qeveri. Por, kjo çështje do të diskutohet në mbledhjet vijuese”, tha Bekteshi.