Iran, zona e panaireve shndërrohet në spital me 2.000 shtretër për pacientët me koronavirus

Ushtria në Iran ka nisur një spital të përkohshëm me kapacitet prej 2.000 shtretër në zonën e panaireve në kryeqytetin Teheran, me qëllim për të luftuar koronavirusin e ri (COVID-19), transmeton Anadolu.

Sipas agjencisë zyrtare të lajmeve të Iranit, IRNA, spitali i themeluar nga Komanda e Forcave Tokësore, u hap me pjesëmarrjen e gjeneral-majorit Sayyid Abdurrahim Musavi.

Kapaciteti i spitalit të ngritur në zonën e Panairit Ndërkombëtar të Teheranit, do të mund të rritet për 1000 shtretër në rast se do të ketë nevojë.

Sëmundja në Iran u shfaq fillimisht në qytetin Kom më 19 shkurt, ndërsa më pas u përhap në të gjitha provincat.

Numri i të vdekurve nga COVID-19 në Iran dje është rritur në 1.934.

Koronavirusi, i njohur zyrtarisht si COVID-19, u shfaq për herë të parë në Wuhan, Kinë, dhjetorin e kaluar dhe është përhapur në të paktën 167 vende dhe territore.