Investimet kapitale në Maqedoni, në frymën e fundit!

Për katër muajt e parë të këtij viti, realizimi i investimeve kapitale është më pak se një e pesta e parashikimit për vitin 2021. Por kjo nuk e shqetëson Ministrin e Financave, Fatmir Besimi. Përkundrazi, ai thotë se është i kënaqur sepse në fund të Prillit u regjistrua një realizim prej 19.5 përqind. Vjet në të njëjtën periudhë investimet kapitale kanë qenë për 50% më të ulëta. Ministri tha se mjetet e mbetura të institucioneve që kanë më pak se 15% realizim në tremujorin e parë do të ngrihen ose tërhiqen. Ato do t’u jepen organeve të tjera shtetërore që punojnë në mënyrë më efikase dhe që edhe në tre muajt e ardhshëm do të tregojnë trend pozitiv.

Çdo shfrytëzues i buxhetit e di se mjetet janë të rezervuara nëse ato janë nën objektivin prej 15 përqind për tremujorin e parë, 40 përqind për të dytin dhe 65 përqind të tretin nga totali i planifikuar gjatë vitit. Ministritë i kanë ato mjete, por ato janë të rezervuara në një paragraf të veçantë dhe kjo ndihmon në nivelin e gjithë buxhetit, kështu që nga ata që kanë realizuar më pak do të ridestinohen mjetet atje ku ka realizim më të shpejtë”, tha Fatmir Besimi, Ministër i Financave.

Sipas të dhënave zyrtare, në tre muajt e parë të vitit 2020, paratë për investime kapitale nuk u prekën nga diku dhjetë institucione shtetërore, ndërsa shumica e tyre kishin realizim prej 15 përqind më pak sesa pritej. Plani i qeverisë këtë vit është të shpenzojë 373 milion euro për ndërtimin e rrugëve, shkollave, kopshteve, spitaleve, kanalizimeve, sistemeve të furnizimit me ujë dhe projekteve të tjera që janë jetike për qytetarët. Në vitin 2019, realizimi total i investimeve kapitale ishte 78 përqind, ndërsa vitin e kaluar 82.