Intervistë ekskluzive me Xho Diogardi: Dua t’i shoh shqiptarët e Maqedonisë të bashkuar rreth Ziadin Selës (Video)

Kryetari i Ligës Shqiptaro-Amerikane, Xhozef Diogardi, më shumë se 30 vite është në shërbim të kauzës shqiptare dhe nga shumë personalitete njihet si njeriu i cili ia hapi dyert çështjes shqiptare në qarqet e larta politike në Uashington. Edhe në kohën kur ishte Kongresmen edhe më vonë, preokupim i tij ka qenë zgjidhja e çështjes shqiptare në Ballkan. Këtë aktivitet të palodhshëm ai e vazhdon sot e kësaj dite me porosinë se duhet akoma shumë punë. Në një intervistë ekskluzive që ekipi i Gazetës Lajm dhe Lajm.Tv në Nju Jork zhvilloi me Diogardin, ai flet për situatën në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, e Preshevë. Apeli i tij për shqiptarët në Maqedoni është që t’ia bëjnë me dije qeverisë se duhet të jenë plotësisht të barabartë me maqedonasit. Ai thekson se dëshiron t’i shohë shqiptarët e Maqedonisë në përkrahje të Ziadin Selës, si politikan që sakrifikoi.

Intervistë ekskluzive me Xho Diogardi: Dua t’i shoh shqiptarët e Maqedonisë të bashkuar rreth Ziadin Selës (Video)

Intervistë ekskluzive me Xho Diogardi: Dua t’i shoh shqiptarët e Maqedonisë të bashkuar rreth Ziadin Selës (Video)

Posted by Lajm TV on Thursday, February 20, 2020

Në këtë intervistë, Diogardi u sugjeron shqiptarëve që nëse nuk ndodhin ndryshime në favor të tyre, të përdorin fuqinë ekonomike për të detyruar Maqedoninë të plotësojë kërkesat e tyre.

Diogardi vlerëson se ende nuk ka kaluar rreziku ndaj Kosovës dhe shqiptarëve, prandaj është duke përgatitur strategji të re të veprimit. Aktivitetin e vet nga Nju Jorku dhe Uashingtoni do ta transferojë edhe në Bruksel, Berlin, Cyrih, e metropole tjera në Evropë. Si rrezik kryesor që i kanoset shqiptarëve ai përmend mundësinë për ndarje të Kosovës, të cilin e krahason edhe me rrezikun nga Millosheviqi.

Edhe pse janë të ndarë në disa shtete dhe nuk mund të ketë ndryshim të kufijve, Diogardi vlerëson se shqiptarët në Ballkan duhet të veprojnë si një komb. Ai kërkon mobilizim të rinisë shqiptare, kurse punësimet partiake që janë karakteristike në Maqedoni, i vlerëson si veprim mafioz.

Gjatë tërë kohës së veprimtarisë së tij në favor të çështjes shqiptare, Xho Diogardi ka pasur mbështetjen e parezervë të bashkëshortes së tij, Shirley Kloj Diogardi. Kjo mbështetje vazhdon sot e kësaj dite.

Intervistën me çiftin Dioguardi Lajm.Tv e ka zhvilluar në ndërtesën e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, në ditën e përkujtimit të Holokaustit. Prandaj ish kongresmeni nuk harron pa e përmendur kontributin e shqiptarëve për shpëtimin e hebrenjve./Gazeta LAJM