Intervistë ekskluzive me Dr.Driton Salihu, drejtor në Shtëpinë e Shëndetit në Preshevë

Salihu: „Presheva për fatin e mirë pa Covid-19, por, sa do ti përballojmë të ardhmes?”

„Ne kemi menduar edhe për të moshuarit tanë. Nëse nuk ka transport, ne me veturën e shtëpisë së shëndetit shkojmë e marim pacientin në shtëpi, e sjellim në shtëpinë e shëndetit, pasi që t`i kryhen kontrollimet e mjekut, atëhere, do të vendoset, se a është për kontrollime të mëtutjeshme të dërgohet në spital apo edhe me terapi të dërgohet në vetizolim“, na tha ndër të tjera, Dr.Salihu.

Sapo kemi hyrë në javë të re, apo në ditën e parafundit të muajit mars, të stërngarkuar me lajme, lajme, raste të ndryshme në gjithë botën me Covid-19. Të mbyllur nëpër shtëpi, duke përcjellur se çka do të ndodhë dhe duke u lutur, që të mos e kemi fatin e keq, që të infektohemi me Covid-19. „Secili kafshatën e gojës kur të ulet të hajë ushqim e mer për vete“, një fjalë e urtë e popullit, e tani, mendja na shkoi në Luginë të Preshevës, atje, se si po menaxhohet situata. Në Shqipëri është më ndryshe dhe Kosovë, por për qytetarët e Luginës së Preshevës paksa më e rëndë. Edhe pse, deri më tani, gjithçka ka shkuar mirë dhe pa asnjë problem. Është ndoshta herët të krenohemi me punën e jashtëzakonshme, që janë duke e bërë stafi drejtues i Shtëpisë së Shëndetit në Preshevë i drejtuar nga Dr.Driton Salihu me mantelbardhët, gjithnjë me kordinim me qytetarët, por, nuk mundemi ti ikim asesi, se deri tani, janë shumë të suksesshëm dhe kanë marë e po marin fjalë të mira nga qyetarët e asaj ane. Me ato mundësi që i kanë, po mundohen, të jenë të gatshëm për situata të rënda. Se si është gjendja reale andej, konkretisht në Preshevë e me rrethinë, cili është bashkëpunimi me qytetarët dhe pushtetin lokalë, pastaj, a kanë shpresë nga shteti amë apo Kosova në rast, se këtë trevë do ta pushtoj virusi, bashkëbiseduam, në një intervistë të gjatë, me personin e parë të shëndetësisë, drejtorin e shtëpisë së shëndetit në Preshevë, Dr.Driton Salihu. Edhe pse ishte shumë i zënë me punë, duke përcjellur gjithçka, duke u munduar edhe përmes mjeteve të ndryshme elektornike, ti informoj qytetarët për situatën në çdo moment, ai gjeti mundësi, për t`na respektuar dhe e realizuam këtë intervistë.

Përshëndetje i nderuar z.Salihu. Po besoj, se edhe në ditët në vazhdim, do të dëgjojmë lajme të mira nga Presheva me situatën e krijuar, me Covid-19, pa asnjëtë infektuar. A mund të na thoni, se deri në këto momente kur po flasim, a kemi ndoj rast tëinfektuar?

Përshëndetje për ju dhe për gjithë lexuesit tuaj. Kam nderin të përshëndes gjithë banorët e Luginës së Preshevës dhe njëherit ti falënderoj për kujdesin që po tregojnë, me një fjalë, me ate kujdes, po na ndihmojnë edhe neve dhe të gjithë së bashku do ti përballojmë. Njëkohësisht, falënderoj dhe përshëndes edhe mërgatën tonë, ate pjesë të kombit, që gjithmonë e kemi pasur afër dhe shpresoj, se nëse vije situata më e rëndë, do ta kemi përsëri afër. Zoti ju bekoftë të gjithëve kudo që jeni. Jemi në një situatë të rëndë me trend botërorë. Edhe ne me mundësitë tona, jemi duke u munduar që ti përballojmë. Kemi një staf mjekësh që me shumë zemër po bëjnë punën e tyre, që qytetarët tanë të jenë mirë. Falënderoj perendinë që deri më tani në komunën e Preshevës, momentalisht nuk ka asnjë rast, as të dyshuar dhe as të infektuar. E po shpresojmë, se do të shkoj kështu edhe në ditët në vazhdim. Por, duhet kujdes, të ruhemi, të mos dalim, të mbajmë pastërti, të mos shkojmë siç e kemi zakon, te filani, e të presim musafirë, sepse kemi të bëjmë me një armikë siç po e thotë e gjithë bota të padukshëm. Duhet të kemi mirëkuptim të gjithë mes veti, kalohet kjo situatë dhe pastaj, vazhdojmë ashtu si i kemi pasur traditat edhe më herët. Në këtë mënyrë, do të dalim fitues. Unë kam shumë besim, se do të fitojmë.

Drejtor, sapo i përmbahen rregullave të vendosura, qytetarët me rrethinë të Preshevës?

Nuk mundem të them se jam shumë i kënaqur. Se ka edhe nga ata, që nuk i përmbahen. Pra, deri dikund jemi të kënaqur. Raportimet e fundit nga policia tregojnë, se popullata është vetdijësuar dhe në 48 orët e fundit nuk ka shkelje të orës policore. Qytetarët tanë, duhet ta kuptojnë, se secili e ruan vetën pastaj të afërmit e tij. Vetëizolimi është mënyra më e mirë deri tani, që kemi, që mos të infektohemi. Edhe në shtëpi, duhet secili të mbaj higjienën maksimale, gjithashtu ti përmbahen rregullave dhe këshillave nga mjekët. Prandaj, nuk është e tepërt të përsërisim gjithmonë, jo panikë, por kujdes maksimal. Ju lutem, ti përmbahemi rregullave, të mos humbim jetët tona dhe të tjerëve.

Vijnë lajmet e ndryshme për ato treva, por do na interesonte të na informoni, meqë jeni personi i parë kopetent për Preshevë në fushën e mjekësisë, që të flisni për situatën e krijuar me Covid-19 për Preshevë me rrethinë. Sa jeni të përgaditur, si shtëpi e shëndetit?

Ne i kemi zbatuar me kohë të gjitha rekomandimet si nga ministria e shëndetësisë dhe enti për shëndet publikë. Për rastet e dyshimta dhe kanë simptoma febrile, si temperaturë, ethe apo vështirësi në frymëmarje, ne kemi krijuar ambulancë të veçantë, si për fëmijë, ashtu edhe për të rritur. Qëllimi është, që pacientët tanë të mos enden nëpër shtëpinë e shëndetit apo edhe të presin në të njejtin vend me pacientë kronikë, që vijnë për të shkruar terapinë e rregullt. Gjithashtu shtatë ambulancat dhe qendrat shëndetësore që i kemi nëpër bashkësitë lokale i kemi aktivizuar maksimalisht, që pacientët nga fshatrat të mos vijnë në Shtëpinë e shëndetit në Preshevë, ndërsa për të pakësuar numrin e pritjeve, pacientëtë marin terapi të rregullt, mund të shkruajnë terapinë për 9 muajt e ardhshëm tek mjeku i zgjedhur vetëm nëpërmjet telefonit. Ka edhe masa të tjera të cilat i kemi marë në lidhje me stafin tonë. Prandaj, jemi 100% afër banorëve të kësaj treve. Kërkojmë bashkëpunim me të gjithë vullnetmirët. Nuk kemi kohë për të humbur. Nuk ka inate, por jemi një dhe duhet ti përballojmë, që ti ndihmojmë secilit. Kemi bërë e po mundohemi, që të jetë sa më e lehtë për çdo kend.

Sa mantel bardhë janë në gjendje gadishmërie?

Në këtë situatë të jashtëzakonshme, të gjithë mjekët janë të angazhuar, që ti dalin në ndihmë popullatës. Shërbimet i kryejmë edhe me ndihmën e kryqit të kuq në Preshevë, të cilët i ndihmojnë atyre personave mbi 65 vjet, që nuk mund të dalin nga shtëpia për të shkruar barna. Më lejoni, që të falënderoj dhe vërtet krenohemi me gjithë stafin dhe me kryqin e kuq, që po bëjnë punën e tyre profesionale.

„Shërbimi i ndihmës së shpejtë punon 24 orë në 7 ditë në javë pandëprerë“

Ku të lajmërohet, nëse një person, sheh shenja se mundet të jetë i infektuar?

Secili pacient e ka mjekun e zgjedhur. Shërbimi i ndihmës së shpejtë punon 24 orë në 7 ditë në javë pandëprerë, ndërsa me rastet, që është i dyshuar, mund të paraqitet tek mjeku i zgjedhur apo edhe direkt tek ambulanca e specializuar për rastet me COVID, ku përveç kontrollimit të zakonshëm i nënshtrohet analizave laboratorike dhe Rentgenin e mushkërive.

Sigurisht, se keni edhe stafin e emergjencës?

Po. Në emergjencë kemi pesë ekipe të cilët punojnë pa ndërprerë për 24 orë. Është një punë e shenjtë dhe respekt për të gjithë.

Çka nëse një i moshuar është i vetëm në shtëpi dhe ka sinjale me Covid-19 dhe personinë fjalë nuk mundet të vijë në shtëpinë e shëndetit?

Ne kemi menduar edhe për të moshuarit tanë. Nëse nuk ka transport, ne me veturën e shtëpisë së shëndetit shkojmë e marim pacientin në shtëpi, e sjellim në shtëpinë e shëndetit, pasi që t`i kryhen kontrollimet e mjekut, atëhere, do të vendoset, se a është për kontrollime të mëtutjeshme të dërgohet në spital apo edhe me terapi të dërgohet në vetizolim.

Sigurisht, se keni bashkëpunim me të parin e Preshevës, me kryetarin. A kanë bërë diçka më shumë, që të ndihmohet shtëpia e shëndetit në këtë situatë?

Ju them me sinqeritet, se po edhe ate, bashkëpunimi është i shkëlqyer. Nuk është koha që të bëhet politikë. Është koha, që të ndihmohet qytetari. Kryetari është i hapur dhe i papritueshëm në çdo situatë. Para disa ditësh, kanë dezinfektuar tërë oborrin me ndihmën e ndërrmajes publike „Moravica“. Gjithashtu edhe secilën kërkesë, që e kemi bërë, na u janë përgjigjur pozitivisht, edhe pse njëherë nuk kemi ndonjë kërkesë të veçantë. Na ka thënë, se gjithçka që kërkohet dhe është e mundur ti ndihmohet, është me ne, kuptohet me kompetencat që i ka. Të gjithë jemi bashkë, vetëm e vetëm që të fitojmë nga kjo nëse mundem ti them luftë virusi Covid-19, që e gjithë bota është duke u marrur dhe që po humbin jetë me mijëra.

Po nga Ministria e Shëndetit në Serbi?

Nuk mundem të ankohem. Po, me rregull furnizohemi, edhe pse mometalisht kanë prioritet qendrat spitalore më të mëdha, prap ne jemi në nivelin e duhur me material saniteti dhe barna. Deri më tani jemi mirë.

Na thoni drejt, ju ka kontaktuar dikush nga Shqipëria apo Kosova, qoftë nga ministritë përkatëse apo qeveritë?

Jo, deri sot askush. Sigurisht, se po dëgjojnë lajme të mira ndoshta nga kjo anë e nuk kemi ndoj kontakt. Dashtë zoti, që të kemi vetëm kontakte për lajme të mira e jo për lajme të kronikave të zeza. Nuk dua të politizoj ashtu apo kështu. Edhe Shqipëria e Kosova, po merren me këtë gjendje të rëndë dhe e dijmë, se si është situata atje. Me pas mundësi edhe ne do ti ndihmonim me shumë zemër bile. Lugina e Preshevës në çdo situatë ishte e do të jetë me të gjithë ata që ia duan të mirën të ardhmes.

Serbia ju ndihmon bashkëkombasve të vet në veri të Kosovës edhe në këtë situatë, ndërsa në Luginë të Preshevës, presni ndoj ndihmë nga dy shtetet tona, nëse do të keqësohet situata?

Për momentin, nuk kemi asnjë lloj ndihme as nga Shqipëria e as nga Kosova. E kuptojmë gjendjen e jashtëzakonshme, që i ka kapluar të gjitha shtetet, po nëse shfaqet nevoja, besoj siç ju thash, se do t`na dalin në ndihmë, edhe pse njëherë nuk kemi nevoj. Nëse nuk mendonë Shqipëria apo Kosova për ne, ne mendojmë për ata, sepse jemi një dhe mbi të gjitha, është njerëzore, që të ndihmohemi mes veti. Ju thash edhe më lartë, është njerëzore, që të ndihmohet secili njeri.

Sipas jush, ku është sekreti, që në Preshevë e rrethinë, nuk kemi asnjë person me Covid-19?

Komuna e Preshevës është ndër të paktat, që i ka ndërrmarë masat preventive. Shtabi komunal për situata të jashtëzakonshme është ndër të parat në Serbi, që ka mbyllur lokalet hotelerike, si kafiteritë, restoranet dhe të tjerat. Po edhe në shtëpinë e shëndetit, kemi ndërrmarë masat me kohë, si njoftimet tek pacientët tanë ashtu edhe tek personeli. Faleminderim i veçantë i shkon qytetarëve, që po zbatojnë të gjitha rregullat deri më tani.

Keni bashkëpunim me shtëpinë e shëndetit në Bujanoc?

Jo nuk kemi ndoj bashkëpunim, ndërsa me mjekët kemi kontakte, po me stafin drejtues jo.

“Nuk e shikoj, se kush është, çfarë gjuhe ka, çfarë kombi është, çfarë feje ka, ne duam ti shpëtojmë jetën, ashtu edhe është misioni i mjekut, ti ndihmojmë secilit që ka nevoj”

Po spektri politikë në Luginë të Preshevës, mendoni, se është unikë të paktën në këtë situatë?

T`ju them të drejtën nuk dua të flas për këtë, sepse jam duke u marrë gjatë gjithë kohës me detyrën time që e kam. Jam gjithnjë afër stafit, mjekëve dhe me mundësitë e mia, po informoj në forma të ndryshme qytetarët për çdo informacion, që ti përballojmë situatës. Politika nuk ka vend. Nuk e shikoj, se kush është, çfarë gjuhe ka, çfarë kombi është, çfarë feje është, ne duam ti shpëtojmë jetën, ashtu edhe është misioni i mjekut, ti ndihmojmë secilit që ka nevoj.

Po me mjete mjekësore sa i përket këtij virusi, stafi juaj ka mjaftueshëm, apo i mungojnë edhe pse na dha disa të dhëna më herët?

Për shkak të ndalesës të punësimeve nga qeveria, ne kemi mungesë të stafit, por sa i përket gjendjes aktuale, ne jemi të përgaditur, pasi jemi në pritje të testimeve masive, dhe për këtë kemi praktikuar motrat dhe teknikët medicinal për këtë.

Sa persona deri më tani i keni testuar?

Testi nuk e bëjmë ne në shtëpinë e shëndetit në Preshevë, por vetëm se rastet e dyshuara i dërgojmë në spitalin e Vranjës.

Keni ndoj vend special, që nëse do të ketë të infektuar, ku do ti vendosni?

Po, në shtëpinë e shëndetit kemi karantinat, që duhet ti mbajnë vetëm për kohë të shkurtë pasi pacientat duhet ti dërgojmë tutje, në spitalin e Vranjës.

Sigurisht, se kemi edhe shumë pyetje të tjera, por duke e ditur, se po e realizojmë këtë intervistë për media të shkruara, po e përfundojmë me kaq, duke shpresuar, se do të dëgjojmë lajme të mira nga ai vend dhe nga të gjitha trevat shqiptare. Se kush do të qaros kafe, pas kësaj gjendje ialëj më kohës, Ju a po unë, me rëndësi të bëhet mirë.

Të faleminderit shumë i nderuar. Ti e dinë, se në Preshevë, nuk është me rëndësi, se kush paguan kafe, me rëndësi është, se me kend rrijmë dhe çka bisedojmë. Ti e dinë mirë, se me një tavolinë, nëse janë tre vetë dhe kur është momenti i pagesës, që të tre duan ta pagujnë, pra shtyhen, sepse duan të nderojnë njëri tjetrin. Presheva me rrethinë është e njohur për mikëpritje, jo rastësisht thuhet, nëse ke pirë kafe në Preshevë, të shkon mendja për kafen e dytë. Besoj shumë, se do të vijnë ditë të mira.

Si pyetje të fundit të kësaj interviste. Cila do të ishte porosia juaj për stafin tuaj dhe qytetarët e Luginës së Preshevës me rrethinë, gjithnjë, si drejtori Shtëpisë së Shëndetit në Preshevë?

Ju kisha lutur, për të mirën tuaj, të familjes dhe shoqërisë, rrini në shtëpi, mos dilni pa nevoj. Mbani distancë njëri me tjetrin. Të mendojmë me pozitivitet. Të respektojmë njëri tjetrin edhe ma shumë. Të mbajmë kontakte me familjarët tanë përmes telefonit, por jo duke shkuar si më herët, sespe e dijmë të gjithë, kemi të bëjmë me një armikë që nuk shihet, siç po përmendet gjithandej. Prandaj, nuk është në pyetje vetëm vetja, por e gjithë shoqëria. Të bashkëpunojmë qytetarë të komunës sonë mes veti. Nëse shihni ndoj rast, na njoftoni. Shumë kujdes dhe të mos harrojmë, se së bashku, do t`ia dalim edhe kësaj sfide. Lutem, që të dalim fitues edhe para kësaj sfide. Zoti ju bekoftë kudo që jeni. Punë të mbarë edhe njëherë e gjitha të mirat!

Ju faleminderit drejtor dhe po shpresojmë shumë, se nuk do të shohim lajme nga ajo trevë, se kemi të infektuar. Respekte për ty dhe gjithë stafin tuaj dhe të gjithë ata që po e menaxhojnë këtë situatë.

Intervistoi: Dashnim HEBIBI