Interpretim absurd nga Talat Xhaferi

Mersel Bilalli
Pa bazë janë konstatimet se Kuvendi nuk është i konstituuar, pasi nuk është zgjedhur kryetari I Kuvendit. Neni 63 i Kushtetutës është i qartë:
“Deputetët e Kuvendit zgjidhen për mandat katër vjet. Mandati i deputetëve verifikohet nga Kuvendi. Mandati fillon të rrjedhë nga seanca konstituive e Kuvendit. Kuvendi i sapozgjedhur mblidhet në një seancë konstituive jo më vonë se 20 ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve”.
Nga këto tri fjali të Nenit 63 të Kushtetutës, pa hamendje konstatohet se Kuvendi është tani më i konstituuar. Fjalia – “Mandati fillon të rrjedhë nga seanca konstituive e Kuvendit” – pa dilemë nënkupton se Kuvendi tani më është i konstituuar, përndryshe deputetët e zgjedhur do të ishin akoma pa mandate (pra, ata akoma nuk do të konsideroheshin se janë deputet). Nga vet fakti se ata marrin rroga dhe sigurime nga Kuvendi, atyre pra u ka filluar t’u rrjedhë mandati katërvjeçar, e kjo do të thotë se ata kanë mandate dhe se Kuvendi tani më është i konstituuar.
Çdo interpretim tjetër s’ka as esencë e as logjikë. Është jashtë çdo kuptimi që të themi se deputetët kanë mandate në Kuvend të pakonstituuar. Deputetët s’mund të marrin rroga dhe sigurime nga Kuvendi i pa konstituuar. Prej këtu, problemi i zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit është çështje procedurale e teknike, shpesh i mëvonshëm sepse s’dihet apriori se kush do e bëjë shumicën qeveritare. Do të ishte absurd të zgjedhim kryetar Kuvendi, kurse më vonë të na del se partia e tij nuk bënë pjesë te shumica. Pra, apriori nuk dihet se cili bllok partiak mund të formojë shumicë, sepse është çështje e partive që merren vesh.