Interi u ngjit në vendin e dytë në Seria A

Interi mposhti Torinon me rezultat 3:1, në terren vendas, mbrëmë në ndeshjen e xhiros së 32-të të Kampionatit italian të futbollit.

Mysafirët në fillim të pjesës së parë hapën rezultatin përmes Andrea Beloti. Interi nuk lejoi befasi dhe me tre gola në pjesën e dytë bëri përmbysje të plotë të rezultatit. Golat për nikoqirët u shënuan nga: Ashli Jang, Diego Godin dhe Lautaro Martinez.

Pas kësaj fitoreje, Interi u barazua me Lacion në numrin e pikëve (68) dhe e tejkaloi në tabelë. Tani “zi-kaltrit” janë të dytët, Lacio është në vendin e tretë, ndërsa Juventusi është bindshëm në vendin e parë me 76 pikë.

Torino është në vendin e 16-të me 34 pikë. /MIA