Inter-Shakthar, ora 21:00, betejë e zjarrtë për biletën e dytë në finale

Interi dhe Shaktari i Donjetskut do të zbresin në fushë këtë të hënë, në qytetin e Dyseldorfit, për të përcaktuar edhe ekipin e dytë finalist të edicionit të 11-të të Europa League-s. Bëhet fjalë për dy klube që e kanë fituar më parë, kompeticionin e dytë më të rëndësishëm të Kupave të Europës. Klubi i famshëm lombard ka triumfuar tri herë brenda viteve ‘90 në këtë aktivitet dhe është në kuotë të barabartë me klube të tjerë si Liverpooli, Juventusi dhe Atletico Madridi. Vetëm Sevilja ka fituar më shumë në historinë e Kupës UEFA apo të kompeticionit me formatin aktual Europa League.

Në krahun tjetër, ekipi i mirënjohur ukrainas krenohet me trofeun e fituar në vitin 2009, kur “minatorët”, nën drejtimin e veteranit Mircea Lucescu, mposhtën në Stamboll në stadiumin “Sukru Saracoglu”, pas kohës shtesë, Werder Bremenin, duke u bërë në këtë mënyrë edhe klubi i parë ukrainas që fiton një trofe në Kupat e Europës, që pas shkëputjes nga Bashkimi Sovjetik, sepse, për hir të së vërtetës, përpara vitit 1991, kur u shpall pavarësia, Dinamo e Kievit pati triumfuar dy herë në Kupën e Kupave, në vitet 1975 e 1986.

Të dy ekipet paraqiten në këtë takim pas një forme shumë të mirë. Kështu ekipi i drejtuar nga trajneri portugez, Luis Castro, numëron plot 11 ndeshje pa humbje. Praktikisht, që pas rikthimit të futbollit, pas izolimit për shkak të pandemisë së Koronavirusit, klubi nga Donjetsku i ka fituar që të gjitha takimet, me përjashtim të dy ndeshjeve në kampionatin vendas ndaj ekipeve të tilla si Zorya Luhansk dhe Oleksandriya, sidoqoftë, rezultate që nuk është se bënë dëm, duke patur parasysh që vlejnë për sezonin e kaluar, pasi edicioni i ri i kampionatit ukrainas starton pikërisht fundjavën e ardhshme.

Klubi i mirënjohur ukrainas u kurorëzua me titullin e katërt rresht kampion në atdhe, njëherësh edhe titulli i 9 në 11 sezonet e fundit për Shaktarin, që vazhdon të dominojë prej vitesh futbollin e këtij vendi. Për të mbërritur deri këtu klubi nga Donjetsku elimonoi fillimisht Benfikën dhe Wolfsburgun, ndërsa në fazën çerekfinale Shaktari mposhti 4-1 në Gelsenkirshen ekipin e Bazelit, takim ku shënuan katër lojtarë të ndryshëm, që të katërt me origjinë braziliane.

Prej shumë vitesh klubi vazhdon të mbështetet te futbollistët brazilianë. Për momentin, trajneri Luis Castro ka në dispozicion 11 të tillë, megjithatë vlen të theksohet se në gjirin e “minatorëve” aktivizohen gjithashtu edhe dy lojtarë si Junior Moraes dhe Marlos, që kanë lindur në Amerikën e Jugut, por janë natyralizuar si ukrainas, duke marrë nështetësinë e këtij vendi.

Sa i përket Interit, zikaltrit e kanë patur këtë pjesë të sezonit shumë më të ngjeshur, megjithatë skuadra e drejtuar nga trajneri Antonio Conte është paraqitur mirë, duke humbur vetëm 1 nga 16 sfidat e fundit në të gjithë kompeticionet. Për herë të fundit Interi e ka provuar shijen e humbjes në “San Siro”, një muaj e gjysmë më parë, në takimin me Bolonjën, gjithsesi zikaltrit ia dolën të mbyllnin një sezon plot luhatje në vendin e dytë, pra si nënkampionë të Italisë, me thjesht një pikë më pak se sa bardhezinjtë e Juventusit, por sidoqoftë vlen të kujtohet fakti që Interi në aspektin moral nuk mund të pretendonte më shumë, pasi i humbi që të dyja përballjet që kishte me kampionët në fuqi në derbin e Italisë.

Skuadra e Contes do të zbresë në Dyseldorf pas pesë fitoreve radhazi, ndërsa në Europa League Interi ka triumfuar në katër ndeshjet e fundit, duke eliminuar fillimisht skuadra si Ludogorets dhe Getafe, ndërsa javën e kaluar, po në qytetin e Dyseldorfit, zikaltrit mundën 2-1 Bayer Leverkusenin, falë golave të realizuar nga Barella dhe Lukaku.

Trajneri puljez ia ka dalë për të forcuar mbrojtjen dhe, në fakt, përpara rrjetës së Kai Havertz, Interi kishte plot 5 takime pa pësuar gol. Kurioz është fakti që 8 nga 10 ndeshjet e fundit në të gjithë aktivitetet ekipi lombard i ka fituar që në pjesën e parë, ndërkaq Interi ka plot 8 ndeshje që nuk pëson gol në pjesën e dytë, në Europa League.

Zikaltrit paraqiten në gjysmëfinalen e parë në Kupat e Eeropës që nga sezoni2009-10. Atë vit nën drejtimin e trajnerit Jose Mourinho Interi triumfoi në Champions, duke kompletuar “tripletën”, gjithsesi interesant është fakti se klubi milanez ka pikërisht që nga ai edicion që nuk arrin dot për regjistruar plot pesë fitore radhazi në Kupat e Europës.

Romelu Lukaku duket në një formë të shkëlqyer dhe sulmuesi belg ka fiksuar një rekord të ri, duke shënuar radhazi në nëntë ndeshjet e tij të fundit në Europa League. Alexis Sanchez do të mungojë për shkak të problemeve muskulore, ndërsa Stefano Sensi është rikthyer në gjirin e skuadrës. 25-vjeçari ishte në stol në takimin me “aspirinat”, gjithsesi mesfushori ka humbur 15 ndeshjet e fundit të Interit, për arsye dëmtimi. Vijon të mungojë mesfushori uruguajan Matias Vecino, kështuqë trajneri puljez pritet të konfirmojë të njëjtin formacion titullar si edhe në duelin me Leverkusenin.

Në krahun tjetër, trajneri luzitan ka në dispozicion më të mirët, madje është rikthyer nga skualifikimi gjithashtu edhe mbrojtësi gjeorgjian Davit Khocholava, që u ndëshkua me karton të kuq në takimin e kthimit me Wolfsburgun. Ziakltrit janë të pamundur në tetë sfidat e fundit me klubet ukrainas, 5 fitore dhe 3 barazime. Kurioz është fakti që sezonin e kaluar të dy klubet u eliminuan në këtë aktivitet nga i njëjti kundërshtar, Eintrachti i Frankfurtit, që fillimisht eliminoi Shaktarin në fazën e 1/16 me rezultatin e përgjithshëm 6-3 dhe më pas në 1/8 kaloi Interin falë golit të shënuar nga Luka Jovic.

Dy klubet janë përballur 15 vjet më parë në Champions, përpara fazës së grupeve, kur trajnerë ishin Roberto Mancini dhe Mircea Lucescu. Zikaltrit fituan 2-0 në Ukrainë dhe barazuan 1-1 në takimin e kthimit në San Siro. Gjysmëfinalja Inter – Shakhtar do të luhet në orën 21:00 në qytetin e Dyseldorfit, në stadiumin “Merkur Spiel – Arena” dhe do të drejtohet nga kryesori polak Szymon Marciniak.