Injorim spektakolar i Ballkanit të Hapur nga Merkel/ Komplimentat e Ramës nuk pinë ujë me kancelaren

Komplimentat pa fre me të cilat tentoi ta përkedhelë sadopak sedrën e 67-vjeçares Angela Merkel në transmetim live nuk i sollën asnjë të mirë Edi Ramës gjatë konferencës për mediat, në mos shërbyen për ta shpalosur më qartë injorimin me kast që i bëhet Ballkanit të Hapur nga iniciatorja e një procesi më të madh, më të rëndësishëm dhe më gjithëpërfshirës, atij të Berlinit.

Megjithëse e përsëriti disa herë në konferencë se Merkelit nuk i pëlqenin lëvdatat, Rama vazhdoi ta ngrejë në qiell figurën e kancelares, duke shfaqur një përulje që kryeministrit të Shqipërisë ia sheh rrallë e më rrallë kohët e fundit në publik. Në fjalën e tij ai e përshkroi Merkelin si një politikane unike për rolin që kishte pasur në rajon. I tha në transmetim direkt se “askush nuk e ka kuptuar këtë rajon më mirë sesa Kancelarja gjermane”. I veshi asaj “një vizion largpamës” dhe i tha se me largimin nga politika “do t’i mungojë këtij rajoni”, duke shtuar se “Angela Merkel është një dhe nuk vjen më, që të jemi të qartë”.

I pakursyer në lëvdata, Rama tha se për atë vetë “ishte një nder që kishte pasur këtë detyrë në të njëjtën kohë me Merkel”, pa të cilën Ballkani dhe Europa nuk do të ishin këto që janë sot. “Angela Merkel ka vendosur një gur kilometrik për gjenerata të tëra dhe do jenë gjeneratat që do gjykojnë me objektivitet, çfarë ka nisur në 2014-ën në tryezën e Kancelares” u shpreh Rama duke folur përherë të parë me superlativa edhe për Procesin e Berlinit, një nismë që e ka konkuruar duke promovuar Ballkanin e Hapur tashmë prej dy vitesh.

Miklimet e Ramës hasën në mimikën e ftohtë të kancelares. Asnjë ngjyrim emocionional në shprehitë e saj dhe një qëndrim i akullt diplomatik, përsa i përket nismës së Ballkanit të Hapur.

Për projektin që inicioi vetë 7 vite më parë dhe që sot po sheh të konkurohet nga nisma e treshes Vuçiç-Rama-Zaev, kancelarja gjermane Merkel foli qartë.

“Procesi i Berlinit, nëse më lejoni të them, është bërthama e gjithçkaje dhe sigurisht, në këtë kontekst, Procesi i Berlinit nuk mund të zëvendësohet, gjërat thjesht mund të përshpejtohen brenda këtij Procesi” tha kancelarja e cila nuk e përmendi në asnjë rast togfjalëshin “Ballkani i Hapur”. Indiferenca për termin, duket një qëndrim, që bashkon të gjithë diplomatët, krerët e shteteve apo zyrtarë të lartë të Bashkimit Europian.

Injorimi i Ballkanit të Hapur nga Merkel vjen pasi kryeministri Rama kishte pranuar në një status në Twitter rreth një muaj më parë se Gjermania e mbështeste Ballkanin e Hapur. Për reagimin e tij, Rama u bazua atëherë në qëndrimin e një zyrtari të qeverisë gjermane që kishte folur për mediat e Kosovës.

“ÇUDI”! Qeveria gjermane e mbështeska Open Balkan ndryshe nga çfarë u thuhet njerëzve në Prishtinë e Tiranë prej atyre që s’pyesin për Amerikën dhe jo vetëm kaq, po kërkon nënshkrimin urgjent të marrëveshjeve për Tregun e Përbashkët Rajonal para Samitit BE-Ballkan në 6 tetor!

“ÇUDI”! Qeveria gjermane e mbështeska Open Balkan ndryshe nga çfarë u thuhet njerëzve në Prishtinë e Tiranë prej atyre që s’pyesin për Amerikën dhe jo vetëm kaq, po kërkon nënshkrimin urgjent të marrëveshjeve për Tregun e Përbashkët Rajonal para Samitit BE-Ballkan në 6 tetor!

— Edi Rama (@ediramaal) August 11, 2021

Por në konferencën e sotme për mediat, pavarësisht komplimentave dhe lëvdatave, kryeministri i Shqipërisë nuk e bëri dot Merkelin të shfaqë një vlerësim, të japë një shenjë aprovimi, apo qoftë ta përmendë Ballkanin e Hapur, nismën që ai ka promovuar bashkë me Vuçiç dhe Zaev.

“Nëse ju takoheni kjo është e drejta juaj dhe unë këtë e përshëndes vërtetë shprehimisht dhe shpresoj shumë që të vijoni në këtë drejtim” tha ajo, duke e zhvlerësuar totalisht projektin për të cilën Rama-Vuçiç-Zaev janë investuar në disa takime të vazhdueshme në Novisad, Shkup, Tiranë dhe Ohër.©Lapsi.al