Injektimi i guximit për t’u vetëshpallur “analist”

Shkruan: Shkëlzen Halimi
Duke pasur parasysh kontaminimin e ambientit tonë politik, s’duhet të na habisë fare fakti se pozita kundërshtarët e vet do t’i luftojë me “metoda demokratike”, përmes shërbimeve manipuluese partiake, të cilët, veç marifeteve tjera, do të gjejnë vullnetarë (të etur për pushtet) që do të pranojnë t’u injektohet guximi intelektual për t’u vetëshpallur si “analistë”, gjithnjë duke mbrojtur pozitën dhe duke u angazhuar që si e si ta turbullojnë mendimin opozitar. Në fakt, këta janë të ashtuquajtur “analistë”, të cilët në esencë nuk kanë as njohuri elementare për ABC-në e politikës, por vetëm marrin urdhra për t’i zbatuar pastaj nëpër të ashtuquajtura debate.
“Analistët” e guximshëm që janë vënë në shërbim të politikës ditore dhe që duket se kanë hapësirë të mjaftueshme për t’i paraqitur mendimet e mësuara përmendësh, për ta dëshmuar besnikërinë e qenit, fare nuk do të hezitojnë as të nënshkruhen në tekstet e gatshme, të cilat, në prapaskenë, për ndonjë kockë pushteti, i shkruajnë larot ose hyzmeqarët e pendës. Pararoja e këtillë (pseudo)intelektuale, duke rënë në trans për shkak të ekzaltimit nga faktorizimi i saj, në të vërtetë ka marrë rolin e cirkut, ku palaçot jenë të vetmit që po e argëtojnë publikun, edhe ashtu të manipuluar nga marrja e biletave partiake për ta përcjellë një “program” me të gjitha nishanet e një cirku të vërtetë.