Incident Spitalin e Tetovës: 24 vjeçari theu sportelin, lëndoi dy punonjës

Një incident ka ndodhur mbrëmë në Spitalin Klinik të Tetovës, ku një 24-vjeçar nga fshati Pallaticë i Tetovës ka shkaktuar një sërë incidentesh pasi i është kërkuar të kryejë pagesën për një shërbim mjekësor, transmeton Portalb.mk.

Sipas informacioneve nga SPB Tetovë, më 1 shtator rreth orës 19:50, Xh.M. ka thyer xhamin e sportelit të pranimit në spital. Gjatë incidentit janë lënduar 24-vjeçari dhe dy punonjës të institucionit.

Pas ndërhyrjes së zyrtarëve policorë, situata është përshkallëzuar më tej. Sipas denoncimit, Xh.M. ka sulmuar fizikisht edhe një zyrtar policor i cili po vepronte në spital.

Për shkak të seriozitetit të lëndimeve, 24-vjeçari është dërguar në Kompleksin e Klinikave “Nënë Tereza” në Shkup, ku i është dhënë ndihma mjekësore.

Në vendin e ngjarjes është kryer këqyrja. Nga MPB-ja njoftojnë se pas dokumentimit të plotë të rastit do të parashtrohet kallëzim përkatës.