In7: Policia bastisi shtëpinë e Gëzim Ostrenit në Dibër

Mëngjesin e sotëm (e mërkurë), në Dibër është bastisur shtëpia e Gëzim Ostrenit nga ana e policisë së Maqedonisë sê Veriut, mëson in7 nga burime të brendshme.
Siç thuhet, forcat policore kanë hyrë në objektin ku jeton ish gjenerali i UÇK-së dhe kryetar i subjektit politik, Uniteti, por nuk bëhet e ditur arsyeja e këtij aksioni të policisë.

Burimet tona konfirmojnë se gjatë kontrollit në shtëpinë e Ostrenit nuk është gjetur asgjë e palejueshme, apo të paktën ajo për të cilën kishin ardhur forcat policore.

Për aksionin në fjalë, in7 ka dërguar edhe pyetje zyrtare në Ministrinë për Punë të Brendshme. Përgjigje mesiguri do të marrim në ditët e ardhshme. Nuk arritëm të kontaktojmë as me gjeneral Ostrenin ose familjar të tij, por nga biseda me njerëz të afërt me familjen e tij nga Dibra, na konfirmuan rastin, por jo edhe arsyen e kontrollit.

Gjeneral Gëzim Ostreni është njëri nga eksponentët më të lartë të UÇK-së, për shumë kohë bashkëpunëtor i ngushtë me Ali Ahmetin e BDI-së. Ka ushtruar disa pozita shtetërore në Maqedoni, ndërsa në zgjedhjet e vitit 2016 i doli kundër Ahmetit dhe BDI-së duke themeluar partinë Uniteti./in7.tv/