Iliri flet për Sabianin: Me Sabin nuk kemi raport, secili ka jetën e vetë

Ilir Shaqiri dhe Sabiani, ishin dy miq të ngushtë brenda “Big Brother VIP”.
Por pas përfundimit të këtij spektakli, duket se gjërat ndryshuan mes tyre, shkruan lajmi.net.

Në një intervistë për emisionin “ABC-ja e pasdites”, Ilir Shaqiri u pyet edhe një herë për marrëdhënien e tij me Sabianin.

“Me Sabin nuk kemi raport. Secili ka jetën e vetë… ndoshta kjo edhe sa u përket gjërave që u thanë dhe që u bënë. Nuk kemi komunikim.”, sqaroi Iliri.

Më tej ai shtoi se ka një lloj keqardhjeje për mënyrën si rrodhën gjërat.

“Ka një çudi, ka dhe një lloj keqardhjeje, nuk mund ta mohoj, sepse si unë, si Sabi i besuam diçka njëri-tjetrit dhe ajo diçka aty brenda mori një vlerë shumë të madhe. Për këtë ka më shumë keqardhje, sepse u transmetua një mesazh miqësie shumë i lartë, me shumë vlera, sepse realisht mendoj që nuk ka gjë më të bukur se miqësia. Por ama kur fillon abuzohet me miqësinë, kjo pastaj nuk është më miqësi”, tha ai.

I pyetur nëse Sabianin e ka zëvendësuar me Ermal Mamaqin, me të cilin është edhe në juri në Dance Albania, ai mohoi një gjë të tillë.

“Nuk ka punë zëvendësimesh në një miqësi. Mendoj se kanë vlera si miqësitë e vjetra, edhe ato të reja. Kështu që çdo njeri dhe çdo mik në zemrën e dikujt, ka vendin që i përket. Me Ermalin njihem që në vitin 2010, kur bashkë me Amin prezantonin Dancing With The Stars. Që atëherë është krijuar një lloj miqësie që koha tregoi se ka baza. Jo të gjitha miqësitë u mbijetojnë furtunave.”, ka përfunduar ai.