Ilire Dauti informon Borrellin për shqetësimet dhe angazhimet e ASH-së (FOTO)

Shefja e grupit parlamentar të Aleancës për Shqiptarët (ASH), Ilire Dauti sot në Kuvend takoi përfaqësuesin e lartë të BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell.

Ajo në këtë takim ka shpalosur qëndrimet e subjektit të saj politik lidhur me zhvillimet aktuale në Maqedoninë e Veriut, agresionin rus dhe ndikimet e reflektimet në Maqedoni si dhe për prioritete që ka ky subjekt politik.

Në murin e saj në rrjetet sociale, deputetja Dauti ka shpalosur edhe fjalimin e saj në takimin me Borell:

“Ekselenca Juaj, Zotëri Xhozef Borelli, të nderuar anëtarë të delegacionit të Unionit Evropian, i nderuar Kryetar i Kuvendit dhe të nderuar koordinatorë të grupeve parlamentare,

Më lejoni që fillimisht të përshëndes miqtë tanë nga Unioni Evropian dhe në emër të grupit parlamentar të Aleancës për Shqiptarët t’u falënderohem për vizitën dhe posaçërisht për momentin në të cilin bëhet kjo vizitë aq e nevojshme. Janë ditë të vështira e që kërkojnë të gjithë të reflektojmë dhe të jemi unik në qëndrimet tona duke dënuar agresionin rus mbi integritetin territorial të shtetit të Ukrainës. Të gjithë bashkërisht patjetër duhet të japim kontributin tonë në tejkalimin e kësaj situate kaq kritike. Të përpiqemi me tërë kapacitetin që kemi që kjo luftë të përfundojë sa më parë e me sa më pak dhimbje e jetë të humbura.

Ju drejtohem si koordinatore e grupit parlamentar të Aleancës për Shqiptarët. Përfaqësoj këtë subjekt politik, që jo vetëm deklarativisht, por qartë dhe fuqimisht është i përcaktuar në krah të shteteve demokratike evropiane. Aleanca për Shqiptarët kontribuoi dhe në vazhdimësi punon në orientimin dhe rrugëtimin evroatlantik të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Të ju përkujtojmë, këtë dedikim që kemi, pothuajse me jetë e pagoi vetë Kryetari i Alencës për Shqiptarët, z. Ziadin Sela, gjatë ngjarjeve të ditës më 27 prill, të vitit 2017 në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ne si subjekt politik, vazhdojmë të mbetemi të përkushtuar, duke qenë të bindur se Republika e Maqedonisë së Veriut të vetmen rrugë e ka integrimin në Bashkimin Evropian. Kjo rrugë kërkon përkushtim në punë në pëmbushjen e vlerave demokratike perëndimore, duke përfshirë medoemos edhe të drejtën për barazi të të gjithë qytetarëve pa dallim”, theksoi deputetja e ASH-së, Ilire Dauti. (INA)