Në orët e vonë të mbrëmjes së të mërkurës autoritet arritët të nxirrnin nga mbetjet trupat e viktimave të aksidentit të rëndë me helikopter, ku gjetën vdekjen 7 persona, mes të cilëve legjenda e NBA, Kobe Bryant, dhe vajza e tij 13-vjeçare, Gianna. Mësohet së tashmë janë identifikuar disa nga trupat, duke përfshirë edhe atë të 41-vjeçarit, vdekja e të cilit tronditi botën e sportit.
Mjeku ligjor ka konfirmuar se identifikimi i Kobe Bryant u bë nëpërmjet gjurmëve të gishtave. Trupat e tjerë të identifikuar u përkasin trajnerit të bejsbollit, John Altobelli, 56 vjeç pilotit të helikopterit, Ara Zobayan, 50 vjeç, dhe Sarah Chester, 45 vjeçe.
Hetuesit po punojnë për identifikimin e trupave të tjerë, që besohet të jenë të Gianna Bryant, vajzës së Kobe-t, Payton Chester, vajzës së Sarah; Keri dhe Alyssa Altobelli, gruas dhe vajzës se John, dhe të Christina Mauser, trajneres së basketbollit.
Detaje nga ngjarja
Helikopteri i Kobe-t nuk kishte instrument paralajmërues për rrezikun e mundshëm (të tregonte praninë e një kodre përballë), pasi nuk ishte më i detyrueshëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për shkak të një pengese ligjore.
Komunikimi i fundit mes pilotit dhe kontrollorëve të fluturimeve ajrore ndodhi kur helikopteri po fluturonte në kuotën 700 metra.
Lakers në stërvitje
Për herë të parë pas tragjedisë, basketbollistët e Los Angeles Lakers dolën në stërvitje, në prag të përballjes me Portland Trail Blazers. Sipas ESPN, skuadra dhe stafi teknik ndanë emocionet dhe kujtimet me Kobe në këto momente zie për skuadrën kaliforniane.
Kobe do të ishte në “Staples Center”
Nëpërmjet një postim të gjatë në Instagram, Carmelo Anthony, “ylli” i Blazers, ka zbuluar se miku i tij i madh do të ishte i pranishëm në “Staples Center” të premten për të ndjekur përballjen mes Lakers dhe Blazers.