Identifikohet autori i atentatit ndaj Mentor Hasanajt

Policia ka identifikuar autorin e atentatit të djeshëm ndaj kreut të policisë bashkiake të Malësisë së Madhe, Mentor Hasanajt.

Përmes një njoftimi zyrtar, policia ka bërë me dije se autori i dyshuar është identifikuar si Ilirjan Hasanaj, 19 vjeçar. Sipas autoriteteve, i riu është identifikuar përmes provave shkencore e biologjike të gjetura edhe falë provave të lënda në motorin që i riu ka përdorur për kryerjen e atentatit.

Motori i perdorur ne atentat

“Policia e Shkodrës ka identifikuar autorin e atentatit të djeshëm në Shkodër, ku mbetën të plagosur  Mentor Hasanaj 37-vjeç dhe babai i tij Xhelal Hasanaj 74-vjeç.  Unfiromat blu bëjnë me dije se është shpallur në kërkim 19-vjeçari Indrit Hasanaj, i cili është banues në lagjen “Teqe” në Shkodër. Ndërkohë policia ka sekuestruar motorin, të cilin i riu përdori gjatë atentatit.

Zbardhet brenda pak orësh ngjarja e ndodhur mesditën e djeshme në aksin rrugor Shkodër-Koplik.

Identifikohet me prova shkencore e biologjike autori i dyshuar i ngjarjes së ndodhur dje më datë 11.10.2020, ku mbetën të plagosur rëndë shtetasit M. H. dhe Xh. H.

Shpallet në kërkim 19-vjeçari Ilirjan Hasanaj.

Sekuestrohet motomjeti i përdorur gjatë kryerjes së krimit dhe prova të tjera materiale.

Strukturat e DVP Shkodër, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, falë reagimit të shpejtë e profesional, në vijim të hetimeve kanë bënë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar, shtetasit I. H. 19 vjeç, banues në lagjen “Tepe”, Shkodër. Ky shtetas, më datë 11.10.2020, në orën 12:30, në aksin rrugor Shkodër-Malësi e Madhe, te rrethrrotullimi i “5 Heronjve”, ka qëlluar me armë zjarri dhe ka plagosur rëndë shtetasit M. H. 39 vjeç banues në Grudë Fushë, Malësi e Madhe, me detyre përgjegjës i Policisë Bashkiake Malësi e Madhe dhe shtetasin Xh. H., 74 vjeç, banues në Grudë Fushë, Malësi e Madhe, të cilët po udhëtonin nga Shkodra drejt Malësisë së Madhe, me automjetin tip “Skoda”, në pronësi të Bashkisë Malësi e Madhe.

Gjithashtu, falë reagimit në kohë, rrethimit të zonës dhe kontrollit të imtësishëm të territorit, shërbimet e Policisë, në vendin e quajtur Livadhe, kanë gjetur motomjetin pa targa, një skafandër dhe sende të tjera që ishin përdorur nga autori i ngjarjes. Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me ata të Malësisë së Madhe, vijojnë intensivisht punën për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar. Nën drejtimin e Prokurorisë, strukturat hetimore të DVP Shkodër po vijojnë punën për zbardhjen e shkakut të kësaj ngjarjeje. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Vrasja e më shumë se një personi” mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.”-thuhet në njoftimin e policisë.

Kujtojmë se ditën e djeshme rreth orës 13:00, atentatori i ka zënë rrugën kreut të policisë bashkiake dhe ka qëlluar me breshëri automatiku, duke lënë të plagosur Mentor Hasanajn si dhe të atin e tij, Xhelalin. Në makinë ndodhej dhe bashkëshortja e policit, e cila fatmirësisht nuk ka marrë asnjë dëmtim nga plumbat. Mentor e Xhelal Hasanaj u plagosën rëndë dhe nga informacionet e deritanishme nga spitali, gjendja e tyre shëndetësore është stabilizuar./Express