“I pasoj kujt të dua”, Onana ndez edhe njëherë “sherrin” me Dzekon

Andre Onana dhe Edin Dzeko patën një përplasje në fushë gjatë ndeshjes së parë në raundin e 1/8-tave të Champions League. Gardiani dhe sulmuesi nuk mundën ta ruanin gjakftohësinë me boshnjakun që iu hakërrue gardianit ganez. Gjithsesi, kjo temë u mbyll me lojtarët që bënë paqe në dhomat e zhveshjes ndërsa klubi dhe trajneri mbyllën një sy duke mos marrë asnjë masë për futbollistët.

Tashmë, Inter është para ndeshjes së kthimit në Portugali me Porton dhe gardiani Onana i rikthehet episodit me Dzekon. Portieri sqaron se bëhet fjalë për një tension normal gjatë një ndeshje futbolli ndërsa shtoi se për të fituar, edhe mund të ndodhë që t’i bërtasë shokëve të skuadrës.

“Nervat e lojës janë prezente gjithnjë dhe këto zënka ndodhin në botën e futbollit. Unë dua të fitoj dhe bëj gjithçka për të arritur tek fitorja. Nëse më duhet t’i ulëras Dzekos, atëherë do ta bëj. Kur unë kam topin, di unë se kujt do t’ia pasoj dhe të tjerët duhet ta respektojnë këtë.

Mund edhe të gaboj, por duhet ta pranojnë zgjedhjen time. Unë dua të ndihmoj skuadrën dhe kam personalitet mjaftueshëm edhe për të kundërshtuar Dzekon apo Lautaro Martinez. Sepse nga pozicioni ku jam unë mund të shoh të gjithë fushën”, u shpreh Onana.