I kërkuan marrëdhënie… në grup një gruaje, këta janë tre policët e suspenduar nga IPK-ja

Besart Mani, Erion Rexhepi dhe Agon Ramadani janë tre zyrtarët policorë ndaj të cilëve Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin, nën dyshimin për ngacmim seksual dhe kontrollim të kundërligjshëm.
Gazeta Online Reporteri.net ka mësuar identitetin e tre policëve të Stacionit Policor Jugu në Prishtinë, të cilët janë përfshirë në hetimet lidhur me një rast që dyshohet të ketë ndodhur pas mesnatës së 15 tetorit, në lagjen Lakërishte.

Gazeta Online Reporteri.net ka mësuar se policët i kërkuan marrëdhënie intime në grup një gruaje të cilën e ndaluan sa ishte duke drejtuar veturën.

Sipas ankesës së saj, më pas ata i kishin thënë të vazhdonte në drejtim të fshatit Çagllavicë, me qëllim të kryerjes së veprimeve me karakter seksual.

Pas veprimeve fillestare hetimore, IPK-ja ka rekomanduar suspendimin e tre zyrtarëve policorë, ndërsa, me udhëzim të prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, është iniciuar procedurë penale lidhur me veprat e dyshuara.

IPK-ja ka bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, për të sqaruar plotësisht rrethanat e rastit dhe pretendimet e ngritura.