I dërguari i Britanisë së Madhe për dialogun Kosovë-Serbi: Dialogu duhet vazhduar

Britania e Madhe bisedon me të dyja palët në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Kështu ka thënë i dërguari i Britanisë së Madhe për Dialogun në Kosovë-Serbi, Stuart Peach.

Në një intervistë për median serbe N1 Peach tha se Briania e mbështet fuqishëm rrugën e normalizimit të marrëdhënieve si dhe thirrjet e Bashkimit Evropian për de-përshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës.

“Këtë e kam bërë vetë gjatë vizitave të mia dhe vazhdimit të dialogut dhe e theksoj edhe një herë se sa urgjente është të vazhdojmë me të. Në historinë tonë dhe në përvojën time gati gjysmë shekullore në ushtri, është gjithmonë mirë të flasësh”.

Më tej Peach ka bërë thirrje për mbajtje të zgjedhjeve në katër komunat veriore.

“Në përvojën time, njerëzit janë gjithmonë të vetëdijshëm për atë që po ndodh në nivel lokal, dhe ka pasur një përshkallëzim. I bëjmë thirrje të dyja palëve që të de-eskalojnë, të kthehen serbët e Kosovës në institucione që të ketë ekuilibër dhe drejtësi në polici. Të kthehen sa më shpejt në aktivitetin normal të policisë dhe të mundësohet që demokracia të zërë rrënjë realisht në nivel lokal, me çka nënkuptoj zgjedhjet lokale. Ne presim përgjigjen më të madhe të mundshme dhe që të gjitha partitë të marrin pjesë në ato zgjedhje lokale”, ka thënë Peach.