Një 58 vjeçar nga Ukraina, i cili ishte i dënuar me 25 vjet burgim, nga autoritetet e Perusë, për trafikim të armëve dhe për krime kundër shtetit, u arrestua qëllim ekstradimin nga Policia e kalimit Kufitar në Morinë, pasi tentoi të hynte në Shqipëri
Policia e Shtetit njoftoi sot se, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës, dhe si rezultat i shkëmbimit të informacioneve nga shërbimet e Interpol Tiranës, u ndalua dhe u vu në pranga, me qëllim ekstradimin drejt Perusë, shtetasi i kërkuar ndërkombëtarisht Dmytro Chornyi, 58 vjeç, banues në Ukrainë.
Gjatë verifikimeve dhe intervistimit në vijë të dytë, në hyrje të vendit, rezultoi se 58-vjeçari ishte i dënuar nga autoritetet gjyqësore të Perusë, me 25 vjet burgim, për veprat penale “Trafikimi i armëve” dhe “Krimet kundër shtetit dhe mbrojtjes kombëtare”, të parashikuara nga legjislacioni penal i Perusë.
Interpol Tirana vijon të bashkëpunojë me homologët në Peru, për ta ekstraduar shtetasin Dmytro Chornyi, drejt këtij shteti.