Shkruan: Orhan Ibrahimi, ish deputet
Të thirresh në emër të proceseve të mëdha rajonale dhe evropiane në korriz të së keqes së popullit tënd është më shumë se hipokrizi.
Të nëpërkëmben të drejtat më elementare për një jetë të dinjitetëshme, e këndej të bëhemi shurdhëmemec?!
Të dorzohemi, të largohemi nga aspiratat për liri, të drejta dhe mirëqenie nën pretekstin “jemi duke i realizuar interesat integruese?!
Të shtrihemi lakuriq në pluhurin dhe baltën e lakmisë për para, poste e ofiqe, duke harruar rrugën e rrezistencës për lirinë e shqiptarëve?!
Të ngrejmë hundë mes veti, të hudhim gurë e dru mbi shokët dhe përcaktimet më sublime për të marrë frymë lirshëm në votrat stërgjyshërore?!
Si mund të jetë e njejtë rruga, përcaktimi politik, ideologjik dhe filozofik i Arbën Xhaferit me ate të Ali Ahmetit?!
Si është e mundur të bëhet një: e mira me të keqen; e drejta me të padrejtën; çiltërsia me djallëzinë; qytetaria me injorancën; krenaria me servilizmin; dinjiteti me hipokrizinë; ato që rrezisojnë me kuislingët; liria me robërinë …?!
Kush e predikon këtë mënyrë të sjelljes sonë: rilindasit, heronjtë dhe martirët, historia e shqiptarëve, historitë e popujve që me organizim dhe rrezistencë e shporrën robërinë, apo librat e shenjta dhe predikuesit e tyre?!
Vallë, kemi arritur deri këtu t’i duartrokasim dhe të mbështesim me dije, apo pavetëdije pabesisë, intrigave, lakmisë, hajnisë, dhunës, terrorit, shpërnguljes, diskriminimit me përmasa deri në gjenocid?! Të rrënojmë me dorën tonë ëndrrën dhe perspektivën e fëmijve, të avullohet për çdo vjet nga një fshat, e për çdo dy tre vjet të na zhbëhet nga një qytet, sikur në to kurrë mos të kish shkelur këmbë shqiptari?!
A po bëhet çdo shqiptar kuntribues i varrëmihjes që po na pret?!