Hudson-Odoi: E dua Sanchon në Chelsea

Ylli i Chelseat, Callum Hudson-Odoit, e ka pranuar se ai do të ishte shumë i lumtur nëse ylli anglez i Borussia Dortmundit, Jadon Sancho, do t’i bashkohej Chelseat gjatë afatit kalimtar të verës.

E ardhmja e Jadon Sanchos në Borussia Dortmund është e pasigurt pas spekulimeve të shumta gjatë këtij sezoni, pasi që paraqitjet e tij të mira në Bundesligë kanë bërë që ai ta marrë vëmendjen e klubeve më të mëdha evropiane.
Chelsea, Manchester Unitedi dhe Real Madridi kanë qenë të spekuluar për transferimin e 20-vjeçarit, i cili ka kontribuar me 17 gola dhe 19 asiste në ndeshjet e zhvilluara me Dortmundin përgjatë këtij sezoni 2019/20.

Hudson-Odoit i Chelseat e ka parë nga afër talentin e Sanchos, kur kanë luajtur bashkë për ekipin kombëtar të Anglisë, dhe thotë se atyre gjithmonë u ka pëlqyer të luajnë bashkë.

“Unë dhe Sancho jemi shumë shokë, flasim çdo ditë, gjithmonë duam ta dimë se si është tjetri dhe si po kalojmë. Ne sigurohemi që të dy jemi mirë. Natyrisht që ai është duke bërë punë të mrekullueshme dhe e ka pasur një sezon të shkëlqyeshëm”, ka thënë Hudson-Odoi.

“Ne kemi luajtur bashkë për Anglisë në të gjitha grupmoshat, kështu që kemi lidhje të mirë në fushën e lojës. Unë kam luajtur kundër tij në Youth Cup dhe kam luajtur bashkë me të për Anglinë, gjithmonë kemi bashkëpunuar mirë dhe na ka pëlqyer të luajmë bashkë”.

“Mënyra se si ne luajmë me njëri-tjetrin… thjesht e dimë ku është tjetri në fushë në çdo moment dhe na pëlqen të luajmë bashkë. Nuk e di nëse do të vijë këtu, por natyrisht se do të më pëlqente shumë nëse vjen në Chelsea”.