E ardhmja e Odegaardit në Real Madrid varet nga Modrici

Përderisa tifozët janë ende në pritje për ta kuptuar se kur do të rinisë sezoni 2019/20, Real Madridi e ka kthyer vëmendjen te e ardhmja e Luka Modricit dhe Martin Odegaardit, pasi që duket se ata të dy janë të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin.

Martin Odegaardi ka qenë njëri ndër lojtarët më të mirë në La Liga dhe në Real Sociedad gjatë këtij sezoni dhe ai është pajtuar të qëndrojë atje si i huazuar për dy sezone, shkruan Marca, transmeton Gazeta Express.

Megjithatë, shkaku i formës mbresëlënëse që ai ka shfaqur, shumë tifozë besojnë se Real Madridi do ta kthejë atë në skuadër këtë verë, një vit para se t’i përfundojë periudha e huazimit në Real Sociedad.

Megjithatë, nëse Modrici vendos të qëndrojë në kryeqytetin spanjoll, atëherë Odegaardi do ta kalojë një sezon të dytë i huazuar në San Sebastian. Por, nëse kroati largohet, atëherë Odegaardi pritet të kthehet menjëherë në Santiago Bernabeu.

Real Madridi do të duhet t’i ndërmarrë disa vendime të tilla të rëndësishme gjatë verës – për të ardhmen e Gareth Bale, James Rodriguez e Mariano Diazit. Megjithatë, pagat e larta të këtyre lojtarëve mund të rezultojnë pengesë në transferimin e tyre pasi që klubet mund të mos kenë mundësi t’i përballojnë ato shkaku i krizës që e ka sjellë në botën e futbollit virusi Covid-19.

Modrici e ka edhe një sezon të mbetur në kontratën e tij në Santiago Bernabeu dhe paraqitjet e tij kanë rënë në 12 muajt e fundit. Megjithatë, për të ka të interesuara ende shumë klube.

Para disa muajve, Modrici kishte qenë afër transferimit në Milan, mirëpo shkarkimi nga detyra e mikut të tij, Zvonimir Boban, nga pozita e drejtorit sportiv ka bërë që ky transferim të dështojë.

Një tjetër mundësi është që Modrici ta vazhdojë karrierën e tij në ligën amerikane MLS me Inter Miamin, klubin e David Beckham.