Hoxha: Subvencionet do të paguhen pas rebalancit të Buxhetit

Zëvendësministri i Bujqësisë, Albrim Hoxha, ka bërë të ditur se pagesat e subvencioneve që janë në pritje do të realizohen menjëherë pas miratimit të rebalancit të Buxhetit, i cili aktualisht ndodhet në procedurë parlamentare.

Nga foltorja e kuvendit, Hoxha ka dhënë sqarime lidhur me sigurinë ushqimore dhe mbështetjen e fermerëve.

Ai theksoi se institucionet kompetente vazhdojnë kontrollet e rregullta për garantimin e sigurisë ushqimore, ndërsa të gjitha masat ndërmerren në përputhje me legjislacionin në fuqi, me synim mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe garantimin e standardeve të larta të cilësisë.

Sipas Hoxhës, me rebalancin e Buxhetit do të sigurohen mjetet për pagesën e subvencioneve për qumështin, gjedhët e shënuara, grurin, kulturat e tjera drithërore, si dhe kulturat fushore.

Ai bëri të ditur gjithashtu se Agjencia është në fazën përfundimtare të testimit të softuerit të ri për aplikimet për subvencionet e vitit 2026. Për të mos dëmtuar asnjë fermer, afati për aplikim është shtyrë deri në fund të shtatorit, ndërsa sistemi i ri do të vihet në funksion shumë shpejt.

Në përfundim, zëvendësministri Hoxha theksoi se mbështetja e fermerëve mbetet prioritet i institucionit, duke premtuar pagesa të rregullta, procedura më efikase dhe politika që u ofrojnë siguri dhe perspektivë atyre që jetojnë nga bujqësia.