Hoxha: Mbetet përcaktimi për optimizimin e administratës

Investimet kapitale në Propozim-buxhetin për vitin 2022 janë planifikuar në vlerë prej 37.8 miliardë denarë të cilat janë rreth 27 për qind më shumë në krahasim me vitin 2021, theksoi në konferencën e sotme për media zëdhënësi i Qeverisë, Muhamet Hoxha.

Hoxha potencoi se karakteristikë kryesore e Propozim-buxhetit për vitin 2022 është komponenta zhvillimore me çka siguron financim të pandërprerë të funksioneve të shtetit dhe mbështetje të fuqishme financiare për rimëkëmbjen ekonomike dhe zhvillimin e përshpejtuar gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm ekonomik.

“Mbetet përcaktimi për optimizim të administratës përmes kontrollit të punësimeve të reja, si dhe përmirësim të cilësisë së jetës së të punësuarve dhe rritjes të motivit për përmbushje profesionale, cilësore dhe të plotë të detyrave të punës. Janë paraparë rritje të pagave te punonjësit shëndetësorë, inspektorët, gjyqësori dhe prokuroria, ushtarët profesionistë, të punësuarit në strukturat IPA, policia pyjore”, tha ai.

Zëdhënësi i Qeverisë, Hoxha theksoi se Propozim – buxheti i Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2022 ka katër qëllime themelore: ruajtje të shëndetit dhe jetës së qytetarëve, rimëkëmbje ekonomike dhe rritje të përshpejtuar, qëndrueshmëri fiskale dhe financim të pandërprerë të funksioneve themelore të shtetit dhe mbështetje për reformat në gjyqësor dhe integrimin e vendit të strukturat euro-atlantike.