Hoti qëndroi dy ditë në Ukrainë në përkujtim të Holokaustit

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka njoftuar se ka qëndruar në Kiev të Ukrainës për dytë ditë me radhe për të marrë pjesë në ngjarjen për perkujtimin e Holokaustit.

Përmes një postimi në rrjete sociale, ai bëri me dije se më 24 dhe 25 janar ishte i ftuar nderi i “European Jewish Association”, transmeton Klankosova.tv.

Veç Hotit, i ftuar ishte Kryetari i Kuvendit të Ukrainës, zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Komisioneri për Zgjerim i Komisionit Evropian Oliver Varhelyi, si dhe zyrtarë të tjerë nga institucione dhe organizata ndërkombëtare.

Postimi i plotë:

Sot në gjithë botën shënohet Dita e Përkujtimit të Holokaustit. Në përkujtim të viktimave të Holokaustit, më 24 dhe 25 janar 2022 unë isha i ftuar nderi i “European Jewish Association” në ngjarjen në Kiev të Ukrainës në përkujtim të masakrës së 33,771 hebrenjve, të ndodhur në vitin 1941.

Për dy ditë me radhë, me rreth 120 parlamentarë nga vendet e Bashkimit Evropian dhe disa vendeve të Ballkanit, Kryetari i Kuvendit të Ukrainës, zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Komisioneri për Zgjerim i Komisionit Evropian Oliver Varhelyi, si dhe zyrtarë të tjerë nga institucione dhe organizata ndërkombëtare, u diskutua për ndërtimin e shoqërive demokratike ku respektohet secili pavarësisht dallimeve.

Populli shqiptar duhet të ndihet krenar me historinë e tij në mbështetje të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.