“Himni nuk mbulon dështimet” – ASH godet Stefkovskin për vendimin në shkollat e Gazi Babës

Shkup – Aleanca për Shqiptarët kundërshton vendimin për intonimin e himnit shtetëror çdo të hënë në shkollat fillore të Komunës së Gazi Babës, duke e cilësuar si simbolikë që nuk mund të zëvendësojë kushtet dhe investimet në arsim.

Këshilltarja e ASH-së, Makfire Iseni, akuzon pushtetin lokal se përmes himnit po përpiqet të largojë vëmendjen nga problemet në shkolla.

“Çfarë po bëhet për nxënësit përtej himnit? Po mbyllen shkolla, po humbin paralele, ndërsa në Hasanbeg dhe shkolla të tjera ka mbingarkesë me nxënës dhe mungesë të kushteve elementare”, deklaroi Iseni.

Por vendimi nuk është i ri. Sipas procesverbalit të Këshillit të Komunës, ai ishte miratuar që në tetor të vitit 2023, me 22 vota “për”, një “të përmbajtur” dhe asnjë votë kundër.

Kryetari Boban Stefkovski e bëri publik vendimin ditët e fundit, ndërsa ende nuk është dërguar urdhër zyrtar në shkolla. Ndërkohë, komuna ka publikuar pamje nga intonimi i himnit në shkollën “Kiril dhe Metodi” në Stajkovcë.