Hija e Albin Kurtit si fituese në Luginë, por a do të ndodhë edhe në Maqedoninë e Veriut?

Nga Naser Pajaziti

Beteja politike shqiptare në zgjedhjet e djeshme për deputetë edhe në Luginën e Preshevës ishte një sprovë e madhe që prishi konfiguracionin politik atje, pasi që APN e Shqiprim Arifit që deri dje ishte subjekti prijës, pësoi një debakël të rëndë, por që “a priori” solli një rikthim të subjekteve tjera që kurdoherë në çdo cikël të fundit lehtësisht i mposhte.

Dita e djeshme prishi përllogaritjet e Arifit, e kjo faturë u pagua si pasojë e një politike “don kishotiane” me shumë rreziqe.

Ate e rrëzoi fryma anti-Albin Kurti dhe faktorë të tjerë që ishin grumbulluar dhe që tashmë kishte nisur zvetënimi i pushtetit të tij.

Por, atë e fundosi edhe konformizmi i tij karshi Tiranës dhe disa subjekteve opozitare në Kosovë, që e shihnin si “rezervë të artë” kur i duhej përdorur për qëllimet e tyre karshi Qeverisë Kurti. Të mos flasim për analistat dhe studiot e televizioneve dhe portaleve zhurmuese që ja nxirrnin bojën duke e turrur të hedhë gurë e dru ndaj Kurtit.

Përballja e djeshme në Luginë ishte edhe një përballje mes Edi Ramës dhe Albin Kurtit.

Derisa Qeveria e Tiranës kishte impaktin e saj tek njëri nga taboret, megjithatë ishte e rezervuar në dhënien e përkrahjes publike, për të preferuarin e saj, Qeveria e Kosovës doli hapur dhe bëri fushatë për Shaip Kamberin.

Kësaj radhe, Edi Rama u mposht dhe fitorja e të preferuarit të Kurtit ishte një kusuritje për humbjen e VV në Shqipëri.

Në Luginën e Preshevës, ashtu edhe në Maqedoninë e Veriut, është e padiskutueshme hija e Albin Kurtit dhe adhurimi i tij si një nga politikanët me besimin më të madh, duke tejkaluar edhe ata politikanë vendor.

Ky është një realitet!

Në këto rrethana të konstelacioneve politike, të përdoresh kartën anti-Albin vetëm se mund të vetëdigjesh dhe të përfundosh në koshin e të humburve.

Është i padiskutueshëm ndikimi dhe reflektimi i figurës së Albin Kurti në Maqedoninë e Veriut. Nuk flasim për Vetëvendosje, por për figurën e kryeministrit aktual të Kosovës.

Pra nuk kemi të bëjmë me adhurim ndaj subjektit, por adhurim ndaj liderit.

Reflektimi i figurës së tij ishte i qartë gjatë vizitës së fundit në Shkup, dhe një tubimi masiv në Tetovë, ku qytetarët thonin se kishin ardhur ta shihnin kryeministrin e tyre të preferuar.

Andaj nuk mund të injorohet ndikimi i tij që mund të jetë në zgjedhjet e ardhshme, duke pasur parasysh se tashmë veçse po bëhen përpjekje në drejtim të shtrirjes së ndikimit të tij edhe praktik. Albin Kurti tashmë po shihet qartë se në planin e dytë po zhvillon një betejë për të mposhtur frymën dhe linjat e krijuara ndërpolitike shqiptare që kanë trashur pushtetin dhe ndikimet e tyre si andej dhe këtej kufirit.

Ai sikur në rastin e Luginës, po synon që t’i jap përkrahje taborit opozitar, sepse kalkulimet flasin se ndoshta do të jetë vonë ngritja e formacionit politik me frymën dhe modelin e një VV-je tjetër.

Megjithatë, muajt në vijim do të detektojnë se a do të kemi nj rreshtim të hapur të Kurtit për t’u involvuar në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, ku beteja nuk do të jetë e lehtë, sepse gjithçka do të varen nga konstelacionet e brendshme politike, por edhe zhvillimet brenda në Kosovë, e ku Qeveria Kurti nuk po e ka shumë lehtë dhe nuk do ta ketë lehtë, sepse ajo do të hyjë në vitin e fundit të qeverisjes.