Hidhet nga kati i tetë i një pallati në Korçë, humb jetën 18-vjeçari nga Durrësi

Një i ri ka humbur jetën në orët e para të mëngjesit të sotëm në lagjen numër 17 në Korçë.

Sipas të dhënave paraprake nga policia, G. M., 18 vjeç, banues në Durrës dyshohet se nën efektin e pijeve alkoolike, mund të jetë vetëhedhur nga tarraca e një pallati, në të cilin së bashku me disa shokë të tjerë kishin marrë me qira ditore, një hyrje apartamenti në katin e tetë (të fundit) të tij.

“Më datë 25.12.2023, rreth orës 03:50, në lagjen nr. 17, Korçë, në trotuar, është gjetur i pajetë shtetasi G. M., 18 vjeç, banues në Durrës. Nga hetimet e para dyshohet se ky shtetas nën efektin e pijeve alkoolike, mund të jetë vetëhedhur nga tarraca e një pallati, në të cilin 18-vjeçari së bashku me disa shokë të tjerë kishin marrë me qera ditore, një hyrje apartamenti në katin e tetë (të fundit) të tij.

Trupi i pajetë është transportuar në morgun e spitalit Korçë, për të kryer veprimet mjeko-ligjore.

Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar të gjithë personat që u gjetën në ambientin të cilin e kishin marrë me qera dhe vijon intervistimi tyre për sqarimin e plotë të rrethanave dhe mekanizmit të ngjarjes së rëndë”, njofton policia.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.