Hetemi pro kurse Zeqiri kundër udhëzimit administrativ për zgjedhje

Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, ka folur mbi peticionin që e kanë nisur qytetarët serbë në lidhje me largimin e kryetarëve të katër komunave veriore.

Zeqiri në një prononcim për Klankosova.tv tha se Udhëzimin Administrativ i cili pritet t’i hapë rrugë zgjedhjeve në veri përmes peticionit e ka parë iniciativë që lë shumë për të dëshiruar, pasi sipas tij, mund të përcillet me shumë shkelje

“Por, unë sidoqoftë i bindem çdo gjëje që është në interes të shtetit të Kosovës. Unë kam preferuar një marrëveshje politike mes qeverisë dhe partive politike. Rruga më e preferuar për mua ka qenë marrëveshja politike dhe dorëheqjet vullnetare”, tha Zeqiri, njofton Klankosova.tv.

Në lidhje me këtë temë ka folur edhe kryetari i komunës së Leposaviqit, Lulëzim Hetemi, i cili tha se gjithçka është në rregull nëse shkohet sipas procedurave.

“Nëse shkojnë sipas procedurave që i ka paraparë qeveria dhe shteti i Kosovës, s’ka asnjë problem. Për mua, më e udhës do të ishte peticioni sesa dorëheqja vullnetare”, tha Hetemi.