Helikopterët vënë në kontroll zjarrin në Kostin Doll të Koçanit

Zjarri në atarin e fshatrave malor të Koçanit, Kostin Doll dhe Novo Sellë ende nuk është shuar, por tashmë po vihet nën kontroll me mbështetjen e helikopterëve të armatës.

Stuhia e zjarrit ka përfshirë sipërfaqe prej disa dhjetëra hektarë të pyjeve, ndërsa në shuarjen janë angazhuar mbi qindra persona.

“Në lokalizimin e zjarrit janë përfshirë 80 pjesëtarë të armatës dhe njëzet zjarrfikës si dhe të punësuar në Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe të Ndërmarrjes publike ‘Pyjet Kombëtare’, ndërsa ndihmon edhe popullata vendore. Janë angazhuar edhe helikopterë të armatës të cilët kanë ndihmuar shumë që zjarri të vihet nën kontroll nga tre anët, ndërsa mbetet të lokalizohen disa pjesë në anën veriore. Nëse lejojnë kushtet kohore, pa erë të fuqishme, pres deri në fund të ditës zjarrin tërësisht ta kontrollojmë”, tha Bllagoj Paunov, komandant i Njësisë territoriale kundër zjarreve- Koçan.

Ekipet e NJTKZ edhe më tej janë në terrenin ku ka zjarre rreth Koçanit dhe në fshatrat Beli dhe Niviçani dhe kontrollojnë vendet ku ende ka tym që të shmanget aktivizimi i ri eventual për shkak të erës.