Hashim Thaçi me super ekip të avokatëve, britanikë dhe amerikanë

Burime të lajmi.net kanë konfirmuar se presidenti Thaçi sot do të përfaqësohet nga avokati nga Britania e Madhe, David Hooper, i cili gjatë gjithë karrierës së tij ka trajtuar çështje të profilit të lartë.

Pjesë e ekipit të avokatëve të Thacit është edhe amerikani Pierre-Richard Prosper, ish-prokuror dhe ish-zyrtar i Qeverisë Amerikane. Ai ka shërbyer si Ambasador Special për Çështje të Krimeve të Luftës nga administrata e ish-presidentit amerikan George W. Bush në periudhën 2001-2005.

Ndërsa, avokati David Hooper, kohë më parë kishte mbrojtur zëvendës-presidentin e Kenias, William Ruto, duke u shpallur i pafajshëm, në mungesë të provave.

Ka qenë udhëheqës në rastin e Andre Reamakuba, në Tribunalin Ndërkombëtar për Ruandën, rast të cilin e kishte fituar bindshëm.

Raste të tjera pjesë e të cilave ka qenë Hooper, janë edhe në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, në Kenia dhe vende tjera afrikane, si dhe tani luan rol kyç në Mekanizmin e Kombeve të Bashkuara për Tribunale Kriminale Ndërkombëtare në Tanzani.

Hooper ka diplomuar në Universitetin e Kentit në Caterbury, si dhe rangohet si një ndër avokatët më të mirë për çështje kriminale nga Chambers and Partners 2021.

Ndërsa, pjesë e ekipit të Thaçit është edhe avokati kosovar, Dastid Pallaska. /Lajmi.net/

David Hooper