Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, nuk ka dhënë një përgjigje të qartë për praninë e problemeve të shumta në arsimin shqip në Shkup dhe për pafuqinë e zyrtarëve të BDI-së për të ndryshuar emrat e dy shkollave fillore, në komunën e Çairit, shkruan gazeta LAJM. Drejtuesit e ministrisë së Arsimit dhe ata të komunës së Çairit, që prej vitesh janë nga radhët e BDI-së, nuk kanë mbajtur premtimet për përmbushjen e shumë kërkesave të nxënësve shqiptarë. Ata, poashtu, kanë lënë në harresë edhe ndryshimin e emrave të dy shkollave, në Çair, nga “Rajko Zhinzifov” dhe “Nikolla Vapcarov” në “Ismail Qemali” dhe “Imri Elezi”. Për këto dështime, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, nuk sheh përgjegjësi te bashkëpartiakët e tij, por thotë se, në vende multietnike si Maqedonia e Veriut, zgjidhja e problemeve nuk mund të jetë e shpejtë.
Harrohen emrat e shkollave të Çairit, Ahmeti: Nuk ka zgjidhje të lehta në vendet mutlietnike (VIDEO)
Harrohen emrat e shkollave të Çairit, Ahmeti: Nuk ka zgjidhje të lehta në vendet mutlietnike (VIDEO)
Posted by Lajm TV on Thursday, December 12, 2019
“Nuk është çështje përgjegjësie, por është çështje e agjendës së përditshme që kanë ministrat e Arsimit dhe kryetarët e komunave. Unë sapo kam kryer një aktivitet në shkollën “Hasan Prishtina” dhe vërtetë ndjehem krenar, por ka edhe çështjet tjera që kërkojnë zgjidhje, sigurisht që do të gjendet zgjidhje. Nuk është e lehtë në një qytet dhe shtet multientik të arrihen zgjidhje të menjëhershme. Sigurisht, ne përpiqemi që me anë të mirëkuptimit dhe dialogimit t’i realizojmë ato objektiva që janë të nevojshme për ne dhe të dobishme për stabilitetin dhe ardhmërinë e vendit”, tha kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti./Gazeta LAJM