Harmonikat, rakia “slivovica” dhe diplomacia manipuluese serbe

Shkruan: Muhamer Pajaziti

Diplomatët dhe politika serbe po vazhdon të luaj skenarët e përkryera serbosllave me politikën e improvizimeve dhe mashtrimeve strategjike.

Çuditërisht, një diplomaci e bazuar në bajga po jep rezultate në arenën ndërkombëtare, e diplomacia e parimeve dhe vlerave po përballet me një deficit të thellë.

Pritja e mysafirëve nga Beogradi fillon me një “manirë”, disa harmonika dhe muzikë të kafeneve, raki “slivovica”, dhe pastaj zgara e njohur nga Leskovci. Nuk dihet nëse pas takimeve ka edhe biseda të këndshme me vajza të bukura.

Pasi të konsumohet ushqimi dhe të mbarojnë përrallat dhe gënjeshtrat për mitet serbe, pasardhësi i Milosheviqit, Ivica Daçiq ju këndon mysafirëve.

Kështu kishte ndodhur në janarin e ftohtë të vitit 2013, kur Komisionerja e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme, Catherine Ashton doli e ngazëllyer nga një kafene në Beograd.

Dacic i kishte kënduar në vesh: “Më fal, Katrin, mbase nuk isha i mirë, edhe pse ti ishe e dashur për mua, më fal, Katrin, gjithçka është vetëm tym tani, nuk ka asnjë gjurmë nga dashuria jonë”.

Ashton e kishte kuptuar menjëherë se kënga i drejtohej asaj dhe kur filluan t’i përkthenin tekstin fjalë për fjalë, ajo u gëzua shumë.

Ishin tekstet e Gjorgje Balasheviqit, të cilat kryeministri serb Ivica Daçiq dyshohet se ia ka kënduar Komisioneres evropiane.

Paraqitja e Daçiqit kishte ndodhur në një moment shumë të tensionuar kur nuk dihej nëse serbët do ta marrin Asociacionin e Komunave Serbe.

E njëjta lojë është bërë edhe me Ministrin e Jashtëm grek, Nikos Kotzias, i cili në vitin 2018 kishte vizituar Serbinë dhe më pas Kosovën.

Atë kohë bisedohej për njohjen greke, por gjithçka u përmbysë. Në darkë, Daçiq me instrumentët e tij i ofrojnë një natë të shfrenuar diplomatit grek në një nga restorantet e Beogradit.

Pas Serbisë, ai arriti në Kosovë, i raskapitur dhe i bombarduar nga maniplatorët serb. Në këto rrethana mezi e takoi 5 minuta Ministrin e Jashtëm, Behgjet Pacollin dhe refuzoi ftesën për një darkë në vilën e tij. Njohja e Greqisë nga Kosova më as që ishte temë.

Pastaj erdhi Grenelli, të cilit me të njëjtin stil i ofruan shëtitje me anije, muzika në sfondë, ushqime të bollshme dhe gënjeshtra pa fund.

Por, ky skenar nuk mungoi as në takimin e fundit me Ramës dhe Sorosin e ri. Kur dolën pamjet nga takimi, harmonikat ishin afër veshit të kryeministrit shqiptar dhe tavolina ishte e servuar mirë.

Nuk dihet se çfarë është zier aty dhe sa ka qenë vigjilent kryeministri jonë.

Kjo diplomaci serbe është e njohur dhe është aplikuar edhe me vendet arabe, të cilëve ju kanë marrë miliarda dollar, duke rindërtuar vendet e tyre.

Kjo ka ndodhur në kohën e Titos, por edhe më vonë në kohën e diplomatit serb Vuk Jeremiç.

Jeremiç një nip i myslimanëve, atëkohë shfaqej një improvizues i skalitur i diplomacisë serbe nëpër vendet arabe.

Ai është i biri i babait serb Mihajllo Jeremiç dhe nga nëna Sena Pozderac, vajza e Sadeta Pozderac, motrës së ish-funksionarit të lartë boshnjak në kuadër të ish-Jugosllavisë së Titos, Hamdija Pozderac.

Vuk Jeremiç duke shfrytëzuar myslimanizmin si kartë familjare, për shkak të nënës së tij myslimane, diplomacia e tij si Ministër i Jashtëm ishte aktivizuar tejmase për bllokimin dhe obstruksionet ndaj shtetit të Republikës së Kosovës. Beteja në rrafshin ndërkombëtar për Kosovën, ka çuar Jeremiçin për të propaganduar gjithçka antishqiptare në shtetet e botës arabe.

Në shumë shtete arabe, duke përfshirë Libinë, Egjiptin, Iranin dhe shtete tjera të në Azi dhe Afrikë, ai shfaqej përveç diplomatit si një mysliman i denjë. Fotografi dhe pamje të tij dukeshin edhe për vizitat e tij në institucione të kultit, saqë ai edhe falej nëpër xhamitë myslimane, vetëm e vetëm për të arritur qëllimin e politikës serbe kundër Kosovës dhe shqiptarëve.