Haradinaj: Sakrifica e të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të lirisë na jep motivim për ta dashur dhe mbrojtur atdheun

Kosovo's Prime Minister Ramush Haradinaj talks during an interview withe Reuters in Pristina, Kosovo, October 16, 2017. REUTERS/Hazir reka

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kujtuar masakrat e Belegut, Irzniqit dhe Poterqit.

Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka përmendur edhe rënien heroike të katërmbëdhjetë bashkëluftëtarëve nga Zona e Dukagjinit, Pashtrikut e Drenicës, në përballje heroike me armikun në Shishman të Bokës.

“29 marsi na kthen në kujtesë vitin 1999, martirizimin e dhjetëra motrave dhe vëllezërve tanë në fshatrat Beleg e Irzniq të Deçanit dhe në Poterq të Klinës. Edhe pse të paarmatosur, ata nuk u kursyen nga barbarët dhe vazhdojnë të mbesin plagë që kullon në shpirtin tonë. Kujtojmë po ashtu rënien heroike të katërmbëdhjetë bashkëluftëtarëve nga Zona e Dukagjinit, Pashtrikut e Drenicës, në përballje heroike me armikun në Shishman të Bokës”.

“Sakrifica e tyre dhe e të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të Lirisë na jep motivim për ta dashur dhe mbrojtur Atdheun tonë dhe të vazhdojmë angazhimin si shoqëri dhe shtet për zbardhjen e fatit të të pagjeturve dhe vendosjen e drejtësisë për ta. Lavdi e përjetshme të rënëve për liri”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.