Haradinaj reagon pas veprimit të Vulinit: Shpresoj që Serbinë ta njohin të tjerët, siç e njohim ne

“I mjerë është ai vend ku ministri i Mbrojtjes e nderon një kriminel lufte. I mjerë është ai vend që solidarizohet me krimet e Putinit në Ukrainë”.

Kështu ka reaguar deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, pasi Ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandër Vulin, bëri homazhe te varri i kriminelit Sllobodan Millosheviq.

Me këtë veprim, sipas Haradinaj, është dëshmuar se Serbia është “larg botës normale”.

Ndaj, ka thënë se shpreson që “më në fund, Serbinë do ta njohin edhe të tjerët ashtu siç e njohim ne”.

“Jam krenar që populli ynë është rreshtuar me Amerikën dhe NATO”, ka shkruar deputeti opozitar në rrjetin social “Facebook”.

Veprimin e Vulinit e ka kritikuar edhe Armend Mehaj, Minister i Mbrojtjes së Kosovës, duke e quajtur “provokim të orkestuar të radhës”.

Sipas tij, Vulin ka fyer viktima, civilët e pafajshëm në Masakrën e Reçakut dhe të gjitha viktimat e gjenocidit të urdhëruar nga “heroi” i tij.