Haradinaj: Njohja nga Serbia mund të ndodhë këtë vit, pastaj edhe Kosova mund t’i bashkohet Ballkanit të Hapur

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se raportet e tij me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, janë përmirësuar dukshëm dhe se me të nuk pajtohet plotësisht vetëm në iniciativën e Ballkanit të Hapur.

Haradinaj dhe Rama kanë pasur përplasje në kohën sa ishin të dy kryeministra dhe madje ky i fundit edhe e kishte paditur për një deklaratë. Por së fundi ata ishin bërë bashkë në Tiranë teksa padia ka kohë që është tërhequr.

Haradinaj thotë se mospajtime kishte vetëm për idenë e shkëmbimit të territoreve.

“Kishim mospajtimet tona. Por kemi raporte të mira. Mospajtimet ishin për idenë e shkëmbimit të territoreve. Tani ajo nuk ekziston më. Aktualisht nuk kemi. Një shpërputhje e kemi për idenë e Ballkanit të Hapur. Shikoni nuk është ide e keqe. Por ne mund te futemi aty vetëm pas normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Pra normalizimi ndodhë vetëm pas njohjes. Është mundësi reale të ndodhë këtë vit dhe nuk është çudi të bashkohet Kosova me Ballkanin e Hapur këtë vit. ”, tha ai në emisionin Pressing në T7. /Gazeta Express/