​Haradinaj: NATO ishte me ne në kohë lufte, ne do të jemi me ta përjetësisht në kohë paqeje

Kosovo's Prime Minister Ramush Haradinaj talks during an interview withe Reuters in Pristina, Kosovo, October 16, 2017. REUTERS/Hazir reka

Me rastin e 25 vjetorit të masakrës në Krushë të Madhe, komuna e Rahovecit në fshatin Fortesë ka organizuar një manifestim qendror.

Të pranishëm ishin kryetari i kësaj komune, Smajl Latifi, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, si dhe familjarë të të rënëve e qytetarë të shumtë.

Në fjalën e tij, Latifi tha se janë bërë 25 vjet pa ushtarët që dhanë jetën, por se ata janë arsyeja që Kosova frymon e lirë sot.

“25 vjet pa ta, por Kosova frymon e lirë. Me 24 mars jo rastësisht luftës tonë iu bashkua edhe NATO që në atë mbrëmje filloi të veproi. Ishte një ndjenjë e veçantë. Në mëngjesin e 25 marsit 1999 banorët e Fortesës panë dhe përjetuan tmerrin e paparë të forcave serbe të uritur për gjak shqiptari. Në këtë vend pushojnë eshtrat e të rënëve që jemi të obliguar t’i përulemi gjithmonë me respektin më të thellë”, tha Latifi.

Ndërsa, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj është shprehur se NATO i është gjendur Kosovës në kohë lufte, ndërsa Kosova do të jetë me ta përjetësisht në kohë paqe.

“I bashkohem dhimbjes suaj. Kjo luftë do të mbebtet dëshmi historike. Gjaku i tyre u bë dritë, u bë liria e Kosovës.Për fat të mirë Kosova jonë po i bashkohet familjes së popujve të lirë. NATO nga Amerika ka qenë me ne në kohë lufte, ne do të jemi me ta përjetësisht në kohë paqe”, tha Haradinaj.

Po ashtu nënkryetari i fshtatit, Besnik Popaj ka shtuar se gjaku i të rënëve është arsyeja dhe drita e lirisë sonë.

“Dita kur u vranë dhe u masakruan vëllezërit dhe bijtë tanë. Ata sot nuk janë në mesin tonë por gjaku i tyre u bë drita e lirisë sonë. Nuk do t’i harrojmë vrasjet makabre të armikut shekullor serb”, ka shtuar ai.

Pas manifestimit, kryetari Latifi, ka dërguar të parin e AAK-së, Haradinaj tek lumi Bellaja, ku ishin vrarë të gjithë ushtarët e UÇK-së në Fortesë më 25 mars 1999.

Gjatë luftës së vitit 1999 në fshatin Fortesë janë vrarë nga forcat serbe 69 martirë, në Brestoc 5 dëshmorë dhe 49 martirë, ndërsa në Celinë janë vrarë 75 martirë, raporton Kosova Press.