Haradinaj: Kurti është mashtrues, heqja e taksës e kthen Serbinë në Kosovë

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj, adresoi kritika në drejtim të qeverisë së re dhe pasardhësit të tij, Albin Kurtit.

Haradinaj në një intervistë për Klan Kosovën, i ka dhënë Kurtit epitetin e mashtruesit.

“Tek Kurti ka ndryshime të qëndrimeve rrënjësisht. Ka ndryshim të qëndrimeve nga ajo që i është thënë qytetarëve në të kaluarën. Ndryshimi kaq drastik i qëndrimeve nuk është reformë apo evoluim, por është mashtrim”.

“Kurti me të vërtet është mashtrues. Ka mashtruar me krejt premtimet që i ka dhënë dhe mendoj se do të ndodhë krejt e kundërta nga ajo që ka thënë”, u shpreh Haradinaj.

Haradinaj në veçanti kritikoi qëndrimin e Kurtit dhe Osmanit, rrjedhimisht të partnerëve të koalicionit qeverisës LDK-VV, lidhur me heqjen e taksës dhe vendosjen e reciprocitetit.

“Kurti po shihet që është mjaft i devotshëm për ta kthyer Serbinë në Kosovë. Veprimi i Kurtit dhe Osmanit, veprimet e LDK-së dhe Vetëvendosjes, për heqjen e taksës që e ka mbrojte territorin e vendit në kohë të vështirë, që e ka ngritë çështjen Kosovës dhe me e kthy reciprocitetin, është vërtet kthimi i Serbisë në Kosovë. Ai po e kthen Serbinë në Kosovë në dy rrafshe – në rrafshin ekonomik dhe në atë diplomatik, sepse po i mundëson Serbisë fuqizimin ndërkombëtar pa i dhënë asgjë Kosovës”.

“Kjo është e ngjashme me kohën kur i është hequr autonomia Kosovës”.

“Shpresoj që do të ketë të rinj të Kosovës që ia ngjyejnë krytë me vô t’klluqta Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit nëse e heqin taksën edhe krejtve nëse e heqin taksën”, theksoi Haradinaj.

Ish-kryeministri theksoi se opozita, për të cilën thotë se i kanë 43 vota, do ta kundërshtojnë bashkërisht heqjen e taksës dhe se nuk do të jenë bashkëpunëtor në ndërmarrjen e veprimeve të tilla.

Ai pohoi sërish se taksa duhet të hiqet vetëm në këmbim të njohjes së Kosovës nga Serbia.