Daçiq po refuzon të udhëtojë në Kinë, ftohen raportet mes Beogradit dhe Pekinit

Zyrtarët kinezë janë të zemëruar me kryediplomatin serb, ngaqë ata besojnë se ai po i shmanget vizitës në vendin e tyre, shkruan gazeta serbe Kurir, duke u thirrur në burimet e saj diplomatike.

Deklarata e Daçiqit, se po e shqyrton seriozisht anulimin e shkuarjes në Kinë, i ka prekur në tela kinezët, të cilët vlerësojnë se, me fjalët e tij, shefi i diplomacisë serbe e ka lënduar miqësinë serbo-kineze, thonë burimet e Kurir’it.

Fjalët e Daçiqit për Kinën, e cila, sipas gazetës serbe, ka qëndruar përkrah Serbisë edhe gjatë bombardimeve të NATO’s, janë vlerësuar ofenduese në Pekin, dhe janë cilësuar të turpshme për një ministër të Jashtëm, e sidomos për një kryediplomat serb.

Kina më nuk do ta konsiderojë atë mik të vendit, por do të vazhdojë ta respektojë presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, raporton Kurir.

Sipas burimeve të gazetës serbe, qëndrimi i Kinës karshi Daçiqit do të ndryshojë dukshëm. Kina, thonë burimet e serbëve, nuk do ta shfaqë inatin ndaj Daçiqit menjëherë, por do ta demonstrojë më vonë, nëpërmjet veprimeve të saj.

Daçiq ka thënë se e konsideron të rëndësishme vizitën në Kinë, por se mund ta anulojë atë, ngaqë i druan përfshirjes në karantinë për shkak të koronavirusit atje, teksa Serbia më 4 mars do të nisë procedurën e regjistrimit për zgjedhje.