Haradinaj i reagon Vuçiqit: Askush të mos tentojë të nëpërkëmbë Kosovën

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj i ka reaguar presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiqit, pasi ky i fundit vendosi flamurin serb mbi hartën e Kosovës. Haradinaj gjatë një fjalimi në Gllogjan me rastin e shënimit të Epopesë së Dukagjinit, duke iu përgjigjur Vuçiqit tha se simboli i vetëm këtu është populli dhe se askush nuk do të mundë të nëpërkëmbë Kosovën.
“Atyre që bëjnë harta të Kosovës me simbole të tyre u themi se i vetmi simbol është populli këtu. Askush mos të tenton me e nëpërkëmbë Kosovën. Nëse nuk na bëhet vendi i merituar në NATO, ne kemi komb, kemi familje dhe do të kthehemi aty ku na takon”, tha Haradinaj gjatë homazheve në Gllogjan.

Duke kujtuar 24 marsin e vitit 1999, Haradinaj tha se ajo ngjarje ishte e pashmangshme, e cila u vërtetua se ishte e drejtë.

“Nuk ka ndryshuar asgjë sot, nuk do të ndryshojë as në mot. Sepse ishte e pashmangshme ajo që ndodhi më 24 mars të vitit 1998. Ne ishim të vetëdijshëm që na pret një fat i tillë. Në këtë ditë të atij viti kanë rënë 3 dëshmitë. Ai epilog u vërtetua i tillë dhe i drejt. Ajo që ishte mahnitëse ishte që ndodhi edhe ndërhyrja e NATO-s. E thashë që nuk ka ndryshuar asgjë sot dhe nuk do të ndryshojë as në mot. Jemi të gëzuar që jemi në demokraci”, tha Haradinaj.