Haradinaj i përgjigjet Selimit: Arkivoli nuk është kërcënim, por aktivitet simbolik

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi tha se nuk po e kupton mesazhin që opozita u ka drejtuar me arkivol para Kuvendit, derisa tha se kërcënime kanë marrë edhe më parë, por se nuk ndalen asnjëherë para tyre.

“Edhe durimi i jonë ka njëfarë kufiri, kur kjo kalon në arrogancë. Duhet t’ju kujtoj edhe një herë që me të drejtë kemi marrë kësi kërcënime edhe këto që u thanë sot këtu, por edhe përformancën jashtë Parlamentit, nuk po e kuptoj mesazhin e opozitës me arkivole para institucionit të Republikës së Kosovës… A është kërcënim dhe a mendoni që ne do të ndalemi para këtyre kërcënimeve?”, tha Selimi

Ai kërkoi nga kolegët për përmbajtje, deri sa theksoi se duhet të mësohen me opozitë dhe të pajtohen me të qenit opozitë dhe të mësohen se para tyre kanë dikë që pavarësisht kërcënimeve nuk merr vesh nga to.

Në emër të AAK-së u kundërpërgjigj deputeti Daut Haradinaj, duke thënë se opozita nuk pati gjuhë fyese dhe se pozita po del në nivel të Listës Serbe, kurse mesazhi i arkivolit është aktivitet simbolik me qëllim të qartë, duke mos e cilësuar si kërcënim.

“Nuk mendoj që deputetët e opozitës patën gjuhë fyese përderisa nga ulëset. Natyrisht se prejardhja e tyre është e ngjashme dhe i kuptoj, por përderisa fol një deputet në foltore është mirë me dëgjuar… Mu më vie shumë keq, kur një nivel të lartë të moralit 20 vjeçar kombëtar, sot janë në një nivel me Listën Serbe dhe nuk ju vjen marre me dal këtu me mbrojt atë argument … Sa i përket kërcënimit me arkivol nuk është kërcim, është aktivitet simbolik, i ka qëllimet e kjarta”, u deklarua Haradinaj.

Përndryshe seanca e jashtëzakonshme për tarifën 100% është duke vazhduar akoma me debat të ashpër mes pozitës dhe opozitës.