Hapja e QK “Vanço Mihajlov”, reagojnë presidenti Pendarovski dhe kryeministri Kovaçevski

Hapja e Qendrës Kulturore “Vanço Mihajlov” në Manastir, ku të pranishëm ishin edhe zyrtarë bullgarë, përfshirë kryeministrin Kiril Petkov, ka sjellë reagime të shumta në opinion, përcjell TV21. Kjo për shkak emrit me të cilin u pagëzua shoqata, Vanço Mihajlov, konsiderohet si bashkëpunëtorë i fashistëve dhe nazistëve.

Presidenti Stevo Pendarovski shprehet se emërtimi i institucioneve në sferën e kulturës sipas një bashkëpunëtori të dëshmuar të regjimit fashist nga Lufta e Dytë Botërore, nuk i shërben kauzës fisnike të afrimit të popujve dhe kulturave.

“Fatkeqësisht dje në Manastir pati përpjekje që një bashkëpunëtor i dëshmuar i regjimit nazist-hitlerian të paraqitet si urë afrimi mes dy vendeve. Jam i sigurt se as populli maqedonas dhe as ai bullgar nuk mendojnë se personazhi dhe (jo)vepra e Vanço Mihajlovit mund të kontribuojnë në atë drejtim”, thekson presidenti Pendarovski.

E për pagëzimin e qendrës kulturore me emrin “Vanço Mihajllov” ka folur edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Në një deklaratë për MIA-n është shprehur se bëhet fjalë për personalitet kontrovers historik që në Maqedoninë e Veriut është përjetuar në mënyra të ndryshme nga grupe të ndryshme qytetarësh.

“Me që bëhet fjalë për iniciativë qytetare, konform Konventës evropiane për të drejtat e njeriut me të cilën ne jemi plotësisht të harmonizuar, këto projekte nuk janë objekt i mbikëqyrjes shtetërore. Në Maqedoninë e Veriut është e lejuar që të gjithë qytetarët lirshëm të praktikojnë bindjet e tyre etnike, religjioze dhe ideologjike”, tha Kovaçevski, duke përfunduar se si Qeveri qëndrojnë pas bindjeve të lira të të gjithë qytetarëve, andaj presin qasje të njëjtë dhe reciprocitet për qytetarët bullgarë me vetëdije maqedonase.