“Hamasi dëshiron që Izraeli të bie dakord për një armëpushim të përhershëm”

Hamasi dëshiron që Izraeli të bie dakord për një armëpushim të përhershëm, tha një burim diplomatik i lartë për CNN, ndërsa bisedimet rifilluan në Kajro, Egjipt, të dielën.

Burimi tha se ka shumë pak gjasa që të ketë një marrëveshje në 48 orët e ardhshme, transmeton Klankosova.tv.

Ai tha gjithashtu se ka dy çështje kyçe që pengojnë një marrëveshje:

1. Pa rënë dakord Izraeli për një armëpushim të përhershëm ose të paktën një rrugë drejt një armëpushimi, Hamasi nuk do të lirojë pengjet e mbetura izraelite.

2.Dhe duhet të ketë një garanci për një sasi të caktuar ndihme që shkon si në veri ashtu edhe në jug të Gazës.

Më herët, një zyrtar i lartë në administratën e presidentit amerikan Joe Biden tha se Izraeli “në thelb ka pranuar” një propozim gjashtë-javor për armëpushim në Gaza dhe se ekziston një “marrëveshje kornizë”.

Sipas tij pika penguese është se Hamasi nuk ka rënë ende dakord për lirimin e një “kategorie të përcaktuar pengjesh të cenueshme”.

Ndërkohë, 90 persona u vranë në Rripin e Gazës gjatë 24 orëve të fundit, tha të dielën Ministria palestineze e Shëndetësisë në Gaza, duke e çuar numrin e të vdekurve në Rripin e Gazës në 30 mijë e 410.