Hajdutët vjedhin “nër sy” të policëve! MPB asnjë masë për kapjen e vjedhësve

Në qendër të Shkupit, çdo ditë ndodhin vjedhje të rënda të makinave. Më së shpeshti në shënjestër janë mjetet me vlerë që gjenden në makinë, siç janë telefonat, lap-topët ose çantat.

Gjatë ditës së djeshme deri te TV21 u paraqit vjedhje e rëndë në një makinë mu në qendër të Shkupit, më saktësisht në Parkun e Qytetit.

Gjatë ditës makina ka qenë e parkuar në parking të rregullt, në Komunën Qendër, tregojnë denoncuesit. Në atë kohë në park kishte prani të madhe të forcave policore, për shkak të ndeshjes së futbollit Shkupi-Shamarok, por me gjithë praninë e forcave të rendit, asgjë nuk i ka ndaluar hajdutët që të thyejnë xhamin e makinës dhe të vjedhin  lap-top.

Pas kësaj, siç edhe parashihet të veprohet, pronari rastin e ka denoncuar në Ministrinë e Brendshme, por këtu nis i gjithë “golgota”. Pavarësisht se aty ka pasur shumë policisë, sipas denoncuesit, është dashur të pritet 2 orë që në vendngjarje të arrijë Ministria e Brendshme, për një procedurë që inspektimi dhe regjistrimi i rastit nuk zgjat më shumë se 30 minuta. Më pas duhej të thirreshin edhe nga sektori për krim-teknikë, por ata nuk janë dukur askund.

TV21 kërkoi përgjigje nga MPB se a është gjetur personi që e ka dëmtuar dhe vjedhur veturën, por nga atje deri më tani nuk morëm asnjë përgjigje. Duke u bazuar në rastet e mëhershme të qytetarëve, Ministria e Brendshme rrallë arrin të kap hajdutët për vjedhje./TV21