Gundogan e pranon se ishte i nervozuar me Guardiolan në fund të sezonit të kaluar

Ilkay Gundogan ka zbuluar disa prapaskena nga xhirot e fund-sezonit të kaluar.

Mesfushori gjerman ishte vendimtar në titullin e kampionit të Manchester City, duke shënuar dy golat e fundit të sezonit, në përmbysjen ndaj Aston Villa.

Në ndeshjen ku Gundogan vulosi gjithçka, lojtari zbriti në fushë nga stoli. Lënia në bankë të rezervistëve ishte arsyeja pse ai ishte i nervozuar me Pep Guardiolan.

“Ne të gjithë jemi garues, të gjithë duam të luajmë dhe më kujtohet një javë para asaj, nuk startoja ndaj West Ham, kështu që isha i bindur se do të luaja xhiron e fundit. Në momentin kur zbulova se isha jashtë, isha pak i nervozuar”, ka thënë Gundogan, transmeton lajmi.net.

“Unë provova të mbaja fokusin dhe të mbështesja djemtë që ishin startues dhe mendoj se atë frustrim e shfaqa edhe në lojë. Gjërat nuk filluan mirë pasi kur u zëvendësova, pas 10 sekondave pësonim golin e dytë dhe të jem i sinqertë, si lojtar profesionist gjithmonë provon të bësh më të mirën, gjërat e thjeshta. Ne shënuam golin e parë dhe pastaj në 10 minuta shënuam të tri golat. Gjithçka ndodhi shumë shpejtë, është akoma e vështirë për mua ta analizojë pasi ndodhi shumë shpejtë”, shtoi mesfushori i City.

Gundogan lidhej me një largim të mundshëm nga Manchester City, megjithatë mesfushori përgënjeshtroi gjithçka dhe vazhdoi qëndrimin e tij në ‘Etihad’.