Gucati dhe Haradinaj deklarohen sërish të pafajshëm

Kryetari i OVL-së së UÇK-së Hysni Gucati dhe nënkryetari Nasim Haradinaj janë deklaruar sërish të pafajshëm para Dhomave të Specializuara sot kur ka nisur seanca ndaj tyre.

Kryetari i trupit gjykues Charles L. Smith i ka pyetur të akuzuarit nëse e kuptojnë aktakuzën dhe nëse deklarohen fajtor ose jo.

“I pafajshëm jam plotësisht”, ka thënë Gucati i cili paraprakisht kërkoi ta lexojë biografinë e tij por nuk u lejua nga gjykatësi Smith i cili i kërkoi të përgjigjet thjesht me “po” ose “jo” në pyetjet që i bëhen.

Në ndërkohë, Haradinaj tha se thjesht e dëgjoi aktakuzën siç e cilësoi ai “kundër padrejtësisë” derisa u deklarua i pafajshëm sikur herën e parë kur është vetëdeklaruar për pranimin e fajësisë ose jo.

“Nuk mund as ta kuptoj aktakuzën, por atë që e lexuat ju e dëgjova”, tha ai.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj akuzohen për pengim të punës së Dhomave të Specializuara, frikësim dhe hakmarrje ndaj dëshmitarëve dhe shkelje të fshehtësisë së procedurave.

Aktakuza ndaj tyre u konfirmua më 14 dhjetor 2020. Krerët e OVL-së së UÇK-së janë arrestuar më 25 shtator 2020 në Prishtinë dhe që nga ajo kohë ndodhen në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.