Guardiola për Haaland: Të gjithë e dimë situatën, por nuk mund të flas, nuk guxoj

Pep Guardiola u paraqit në konferencë për shtyp, dhe sigurisht pyetjet për Erling Haaland nuk munguan.

Ylli norvegjez raportohet të jetë pajtuar për transferimin te Manchester City. Indirekt e konfirmon edhe trajneri i City, por thotë se nuk guxon të flasë për të.

Guardiola ka bërë të ditur se skuadra e Dortmund dhe ajo e Manchester City i kanë thënë të mos deklarohet rreth lojtarit.

“Të gjithë e dinë situatën, por unë nuk duhet të flas, nuk më pëlqen të flas për të ardhmen”, ka thënë Guardiola, transmeton lajmi.net. “Borussia Dortmund dhe Manchester City më kanë thënë se nuk më lejohet të flas për Haaland, deri në zyrtarizim. Më vjen keq, nuk më lejohet të flas”, shtoi ai.

“Do të doja të flisja, por më thonë të mos them asgjë derisa të përfundohet gjithçka në aspektin ligjor. Ne do të kemi kohë të flasim”, tha mes tjerash trajneri i Man City.

Guardiola: Shpresojmë të triumfojnë në Premier League, nesër një finale për ne

Manchester City është tri ndeshje larg titullit të kampionit në Premier League. Wolves, West Ham e Aston Villa do të jenë kundërshtarët.